Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i cili synon të marrë rolin e Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, në një intervistë për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1” të shtunën, u shpreh optimist se mund të çojë peshë në procesin e dialogut, duke e cilësuar veten “game-changer” sa i përket rrjedhës së tensionuar në raportet Prishtinë-Beograd.
Megjithatë, vendet anëtare të BE-së konfirmuan gjatë javës se të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, i cili është dashur ta fillojë mandatin e ri si ambasador i BE-së në Zvicër më 1 shtator të këtij viti, do t’i zgjatet mandati edhe për gjashtë muaj.
“Në mars, unë u ftova në Belgjikë nga Lajçaku, i cili pyeti nëse jam i gatshëm të vazhdojë punën e tij… Por pastaj diçka ndryshoi në Bruksel. Nuk i di të gjitha arsyet pse… Unë jam i gatshëm ta plotësoj këtë pozicion nëse emërohem”, theksoi Pahori, i cili në maj dorëzoi kandidaturën zyrtare për pozitën e udhëheqësit të procesit të negociatave midis Kosovës dhe Serbisë.
Para shpalljes së kandidaturës për të marrë drejtimin e negociatave diplomatike midis Kosovës dhe Serbisë, ai theksoi se do të jetë “ndërmjetës i ndershëm” dhe, përveç përvojës së gjatë në Ballkanin Perëndimor, zotëron edhe “një sërë idesh se si të rifreskohet apo ringjallet procesi dialogut” midis Prishtinës e Beogradit, i cili prej vitit 2020 ndërmjetësohet nga Lajçaku.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili gjithashtu është në fund të mandatit, synon t’ia lërë në dorë kryediplomatit të ardhshëm evropian zgjedhjen e emisarit të ri për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Dhe kjo konsiderohet të jetë arsyeja pse BE-ja vendosi t’ia zgjasë mandatin Laçakut deri në fillim të vitit 2025.
“Ne kemi bërë shumë gjatë viteve të fundit, por procesi mund të përparojë vetëm në bazë të gatishmërisë së të dy palëve. Ndërmjetësimi i BE-së nuk mund të arrijë më shumë normalizim sesa dëshiron Kosova dhe Serbia. Pas disa muajsh, njerëz të ndryshëm do të jenë në krye, por pritshmëritë e BE-së nuk do të ndryshojnë”, kujtoi sëfundmi shefi i diplomacisë evropiane.
E në mesin e kandidatëve potencialë për pozitën e Emisarit Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, në bazë të burimeve jo zyrtare diplomatike, përveç ish-presidentit dhe kryeministrit slloven, janë edhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, dhe diplomati danez, Peter Sorensen, të cilët kanë përvojë të madhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.
Për emërimin e ndërmjetësit të ri në dialog, vendet anëtare të BE-së pritet të vendosin gjatë vjeshtës, kur edhe do të emërohet pasardhësi i Borrellit. Kosova dhe Serbia arritën një “marrëveshje historike” për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve gjatë mandatit të Borrellit e Lajçakut, por akoma nuk kanë arritur t’i bindin palët që të fillojnë zbatimin e së njëjtës.
Sëkëndejmi, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” do të vazhdojë të mbulohet nga Lajçaku, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjeve të hapura dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet, apo liderët e Kosovës dhe Serbisë do të fillojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në funksion të kauzës së paqes.
Ardhja e Pahorit në vend të Lajçakut mund ta rikthejë idenë e shkëmbimit të territoreve
The post Pahori e sheh veten “game-changer” në dialog, pavarësisht “ndryshimit të disponimit” brenda BE-së appeared first on Albanian Post.








