CNN raporton se shërbimi sekret amerikan ka marrë informacion javët e fundit mbi një komplot nga Irani për të vrarë ish-presidentin Donald Trump, gjë e cila çoi në rritjen e sigurisë së Shërbimit Sekret ndaj ish-presidentit javët e fundit.
Por, nuk ka asnjë tregues se Thomas Matthew Crooks, atentatori i mundshëm që tentoi të vriste ish-presidentin të shtunën, ishte i lidhur me komplotin.
Ekzistenca e kërcënimit të inteligjencës nga një agjenci e huaj armiqësore dhe siguria e shtuar për Trump ngre pyetje të reja në lidhje me gabimet e sigurisë në tubimin e së shtunës në Butler, Pennsylvania dhe se si 20-vjeçari arriti të hipte në një çati për të qëlluar ish-presidentin.
Irani është zotuar të hakmerret për vrasjen e Qasem Soleimani nga SHBA në vitin 2020.
Ish-zyrtarët e Trump, përfshirë John Bolton dhe Mike Pompeo, kanë qenë gjithashtu objektiva të komploteve iraniane.
Çfarë ndodhi më 13 korrik?
Kaosi përpin qytezën e vogël të Butler në Pennsylvania pasditen e 13 korrikut, në orën amerikane.
“Gjuajtësi është neutralizuar”, thërrasin shërbimet sekrete amerikane.
Vetëm pak sekonda më parë, Donald Trump, ish-presidenti amerikan dhe kandidat aktual republikan për zgjedhjet e ardhshme, ishte duke folur në podiumin, përpara mbështetësve të tij.
Turma ishte e qetë dhe duke dëgjuar me vëmendje fjalët e tija. Në sfond shihet falë një flamuri amerikan të vendosur pranë podiumit se një fllad i lehtë po fryn gjatë tubimit në Pennsylvania.
Papritur, heshtjen e thyen një e shtënë e fortë.
Askush nuk lëviz dhe nuk e kupton se çfarë po ndodh. Një tjetër e shtënë dëgjohet. Trump vendos instinktivisht dorën në veshin e djathtë dhe sheh shenja gjaku.
Ulet menjëherë në tokë dhe paniku përpin gjithë turmën, ndërsa shërbimet sekrete vihen në aksion.
Menjëherë mbi Trump hidhen pesë anëtarë të shërbimeve sekrete. Pjesëmarrësit kërrusen ku të munden në stendat e vendosura në tubim.
Disa krisma të tjera dëgjohen dhe për disa sekonda, heshtja kaplon sërish.
“Gjuajtësi është neutralizuar”, thotë një prej pjesëtarëve të sigurisë. “Zoti presidenti, duhet t’ju çojmë në këmbë”.
Murmuritjet kapen nga mikrofoni i podiumit, por pa u kuptuar qartësisht se për çfarë është duke u folur.
Në pak sekonda, Trump është në këmbë, i rrethuar nga katër personel i shërbimeve sekrete në mbrojtje të tij. Të tjerë afrohen pranë podiumit me armatime të rënda për të ruajtur sigurinë e tij.
“Më lini të marr këpucën. Këpucën time. Më lini të marr këpucën time”.
Këto janë fjalët e para të Trump, pasi çohet më këmbë.
Por shërbimet sekrete nuk kanë kohë për këtë dhe e udhëzojnë të zbresë menjëherë nga podiumi.
Trump nuk është “i kënaqur” me vendimin. Me një fytyrë thuajse të inatosur, ngre grushtin e tij lart, me dy vija gjaku në fytyrë, në anën e djathtë, prej veshit, i cili i duket i gjakosur.
“Luftoni. Luftoni. Luftoni”.
Fjalët e dala prej inatit të tij nuk dëgjohen vokalisht, por është shumë e qartë se çfarë ai por bërtet, për shkak të mimikës së pangatërrueshme dhe leximit vizual të lëvizjes së buzëve.
Pa këpucë, e zbresin nga podiumi. Këpuca numër 46 e ish-presidentit mbetet në tapetin e kuq , të rrethuar me yjet republikane.
Trump është i sigurt dhe dërgohet në një spital vendor, ku merr ndihmën e parë.
Nëse ishte paaftësi e autorit të godiste në shënjestër, nuk dihet. Por, e përditshmja gjermane Bild, shkruan se është e qartë që një erë e fortë ka fryrë dhe i ka ndërruar aq pak sa duhet trajektoren plumbit, i cili e kap vetëm në cepin e veshit të djathtë Trumpin.
Shërbimet sekrete publikisht kritikohen ashpër nga të shumtë, përfshi edhe manjatin e teknologjisë, Elon Musk. Ata duhet të shkarkohen nga detyra sipas tij.
Por, fakti është se shërbimet reaguan në kohë për të nxjerrë të gjallë Trumpin nga aty.
E vetmja gjë e lënë pas është një pikturë e një dite të zymtë për Amerikën.
Një fotografi e një këpuce të braktisur në piedestalin politik. Disa foto, të cilat tashmë janë kthyer në një ikonë të vërtetë amerikane, me Trumpin grushtëlart dhe të gjakosur, rrethuar nga shërbimet sekrete.
Por, mbi të gjitha, ngjarja la pas shijen e hidhur të një politike të shkuar, ku atentatet kërkojnë të diktojnë politikën dhe politika nga ana tjetër, është e pafuqishme t’i shmangë ato.
The post CNN: Javët e fundit alarm për një komplot iranian për të vrarë Trump appeared first on Albanian Post.








