Si nga Albin Kurti ashtu edhe nga Donika Gërvalla u prezantua si një arritje e rëndësishme e Qeverisë së Kosovës në raport me politikën e jashtme të vendit.
Është fjala për vendimin e Tajlandës – një shtet në Azinë Juglindore – për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Megjithatë për këtë vendim më pak meritorët – për të mos thënë aspak meritorët – janë pikërisht kryeministri i Kosovës e ministrja e Punëve të Jashtme, kjo pasi që heqja e vizave për kosovarët s’është si rrjedhojë e punës së ekzekutivit, por një politikë e re e Bangkokut zyrtar për të tërhequr më shumë vizitorë në këtë shtet.
Heqja e regjimit të vizave për kosovarët, por jo vetëm – meqë në këtë vendim përfshihen plotë 93 shtete të tjera – është bërë publike nga Ministria e Punëve të Jashtme të Tajlandës më 15 korrik.
Në këtë vendim ndër të tjera potencohet se Tajlanda për arsyeje krejtësisht strategjike të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë ka vendosur që të heq regjimin e vizave për 93 shtete ku të përfshira janë edhe Kosova e Shqipëria.
“Tajlanda merr vendim për masa të reja për viza për të përmirësuar turizmin dhe ekonominë e vendit. Vendimi hynë në fuqi më 15 korrik 2024. Shtetasit e 93 vendeve dhe territoreve kanë të drejtën e përjashtimit nga viza për qëllime turizmi, angazhime biznesi ose punë urgjente”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Tajlandës.

Meqë zgjedhjet parlamentare janë në prag e ndërsa Kosova s’ka shënuar asnjë progres signifikant në arenën ndërkombëtare – nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje – Kurti e Gërvalla, janë përkujdesur që një vendim strategjik të Tajlandës ta portretizojnë si një arritje të Qeverisë në fushën e diplomacisë.
“Zhvillim e progres brenda vendit. Dinjitet e afirmim jashtë vendit”, shkroi Kurti në platformën sociale, Facebook ndërsa shtoi se “pasaporta e Republikës sonë po vazhdon të fuqizohet përherë e më shumë”.
Ndërkaq Gërvalla tha se ky vendim i Tajlandës “është edhe një hap më shumë në fuqizimin e pasaportës së Republikës sonë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”.
“Kjo arritje reflekton përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të zgjeruar mundësitë ndërkombëtare dhe për të forcuar lidhjet diplomatike me shtetet anembanë botës”.
The post Mashtrimi tajlandez i Kurtit e Gërvallës appeared first on Albanian Post.








