Me shtimin e investimeve në infrastrukturën e lartë, një strategji e qartë e Qeverisë duket të jetë ajo e ndërtimit të segmenteve rrugore, të cilat do të ofrojnë një kalim në to përmes pagesës.
Kështu, pas hapjes zyrtare të autostradës Thumanë-Kashar, e cila lehtëson ndjeshëm kalimin e trafikut nga veriu i vendit drejt jugut, pritet që edhe disa akse të tjera, të mbyllin punimet dhe të vihen në përdorim të qytetarëve, kundrejt pagesës.
Thumanë-Kashar, siç është bërë me dije, do të ketë një kosto kalimi prej 2.52 eurosh.
Polemika të shumta u ngritën mbi këtë çështje lidhur me koston e kalimit të rrugës, duke qenë se çmimi është relativisht i lartë në krahasim me nivelin ekonomik të Shqipërisë.
Nga ana tjetër gjithsesi, kostot e larta të punimeve, vlera e koncensionit dhe lehtësia e madhe që kjo rrugë sjell, ka bërë që Qeveria të gjejë justifikimin e saj për vlerën që qytetarët duhet të paguajnë në çdo kalim.
Thënë kjo, cilat do të jenë tre segmentet e tjera rrugore, të cilat pritet të vihen në përdorim të udhëtarëve?
Gjithçka e ka zbardhur Enkeleda Muça, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë.
Ajo sqaroi se për tre akset, janë në zhvillim të procesit të negocimit të kontratës me fituesit e tenderëve, ose në gazë përzgjedhje.
Segmentet janë: Milot-Thumanë, ku është shpallur fituesi dhe pritet faza e negocimit të kontratës.
Milot-Balldren, i cili është në fazë procedure për përzgjedhjen e projektimit ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes dhe transferimin e segmentit.
Balldren-Muriqanin, ku qeveria është ende në fazën e studimit të fizibilitetit.
Nga ana tjetër, në lidhje me segmentin Kashar-Pezë-Lekaj, është shpallur fituesi dhe qeveria është në fazë negocimi dhe shumë shpejt do të nisin punimet. Edhe për Lekaj-Fier është shpallur fituesi dhe qeveria është në fazën e negocimit të saj.
Të gjitha këto segmente, theksohet se do të kenë një rrugë alternative.
Do të ndiqet sipas zëvendësministres, e njëjta formulë si Thumanë-Kashar, dhe do të jenë me koncesion. Do të jenë me pagesë, por do të ketë rrugën alternative gjithmonë në përdorim.
Për tre akset ku janë shpallur fituesit e koncesioneve, vlera e investimit është 839,4 milionë euro, dhe për të tre projektet afati i koncesionit është 35 vite.
Sakaq, aksi Milot-Thumanë me gjatësi 13.5 kilometra, do të kushtojë 44,6 milionë euro pa TVSH dhe do të ndërtohet nga bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Gener 2”, “Illyrian Consulting Engineers” dhe “I.D.K- Konstruksion”.
Nga ana tjetër, aksi Kashar-Pezë-Lekaj me gjatësi 26.6 kilometra dhe me kosto 474,8 milionë euro pa TVSH, do të ndërtohet nga Gjoka Konstruksion” sh.a, “Junik” sh.p.k, “Cobial” sh.p.k. “Pepa Group” sh.p.k, “UDHA” sh.p.k. “Geoportal” sh.p.k. dhe “A&E Engineering” sh.p.k.
Po ashtu edhe aksi Lekaj-Fier me gjatësi 46 kilometra do të kushtojë 320 milionë euro. Kjo rrugë do të ndërtohet nga bashkimi i disa bizneseve me kryesor “Fusha” sh.p.k dhe “Agbes Construksion”, “Albavia” sh.p.k. “Kupa” sh.p.k , “Ante-Group”, “Klodioda” sh.p.k, “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000” dhe “Sphaera” sh.p.k..
Tarifat, të cilat do të duhet të paguhen nga qytetarët, nuk janë bërë publike, duke parë fazën e punimeve ende të hershme.
Por, duke iu referuar segmenteve tashmë ekzistuese me pagesë, si Thumanë-Kashar së fundmi, apo edhe Rruga e Kombit më herët, tarifat (në bazë të gjatësisë së këtyre akseve) mund të variojnë nga 2 deri në 5 euro për kalim.
The post Të tjera akse me pagesë priten në Shqipëri, pas Thumanë-Kashar appeared first on Albanian Post.








