litiumi-serb-dhe-“tulipmania”

Marrëveshja në mes të Bashkimit Evropian dhe Serbisë për litiumin serb, përmes të cilës Serbia do të bëhet qendër e furnizimit evropian me litium dhe me bateri, sipas njohësve ndërkombëtarë të zhvillimeve politike në rajon dhe jo vetëm, do ta inkurajojë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, për të forcuar edhe më tej pushtetin anti-demokratik të tij.

Të premten e 19 korrikut Serbia dhe BE-ja nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për partneritet strategjikë në fushën e lëndëve të para të qëndrueshme, zinxhirëve të vlerës së baterive dhe automjeteve elektrike në Pallatin e Serbisë.

Ky nënshkrim erdhi pas një takimi që patën në Beograd presidenti serb Vuçiç me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz – shtyrësi më i madh për këtë marrëveshje.

Sipas Daniel Serwer, profesor në Universitetin “John Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), mesazhi që është dërguar me këtë marrëveshje është se Gjermania, si një nga shtetet më të fuqishme të Unionit, “ose nuk e kupton se çfarë po ndodh në Serbi, ose nuk i intereson”.

Në një prononcim për Albanian Post, njohësi i hershëm i zhvillimeve në Ballkan, thotë se shumë vende kanë nevojë për burime nga vende me sisteme politike të brendshme “të papëlqyeshme”, por në kontekstin aktual, sipas prizmit të tij, kjo ujdi është e dëmshme.

“Mendoj se ky është vetëm një rast ndër shumë të tjerë për Berlinin, por është fatkeq sepse do të inkurajojë shtytjen gjithnjë e më anti-demokratike të Vuçiç-it”, ngrit shqetësim Serwer.

Për ta argumentuar kundërshtimin e tij për marrëveshjen në fjalë, profesori amerikan mori edhe referenca në të kaluarën duke u kthyer në shekullin e largët: XVII (17-të) dhe e aktualizoji.

“Megjithatë, imagjinoj se mania aktuale për litium do të përfundojë si tulipanët në Holandën e shekullit të 17-të”, shtoi.

Fenomeni i tulipanëve në Holandën e shekullit të 17-të, e njohur si “Tulipmania” (Mania e Tulipanëve), ishte një periudhë e shkurtër, por euforike e spekulimeve intensive mbi çmimet e tulipanëve, të cilat arritën nivele shumë të larta përpara se të binin papritur.

Kjo ndodhi kryesisht midis viteve 1634 dhe 1637.

Në kulmin e “Tulipmanisë”, disa lloje të tulipanëve u shitën për çmime që ishin disa herë më të larta se të ardhurat vjetore të një zanatçiu mesatar. Tulipanët ishin të njohur dhe çmoheshin për bukurinë dhe rrallësinë e tyre, dhe kërkesa e lartë nga tregtarët dhe të pasurit çoi në një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve.

Fundi i kësaj periudhe erdhi në shkurt të vitit 1637, kur tregu kolapsoi papritur. Çmimet e tulipanëve ranë në mënyrë drastike dhe shumë investitorë humbën sasi të mëdha parash.

Kolapsi i tregut të tulipanëve shpesh është cituar si një nga shembujt më të hershëm të një “flluske ekonomike” (“buble” – në gjuhën angleze), ku çmimet e aseteve rriten në nivele të pashpjegueshme dhe më pas bien papritur.

Por, ndryshe nga Serwer mendon Richard Caplan, profesori nga Universiteti i Oxford-it.

Në një prononcim për Albanian Post, Caplan marrëveshjen BE-Serbi e konsideron si diçka normale, dhe nuk sheh asnjë rrezik që mund ta sjellë dakordanca në fjalë.

“Ishte nevoja gjithnjë në rritje e BE-së për litium në prodhimin e makinave elektrike”, potencon ai për AP, dhe shton “mesa duket, depozitat e Jadarit do të sigurojnë deri në nëntë të dhjetat e nevojave aktuale të BE-së për litium”.

Prandaj, ndryshe nga shumë përcjellës dhe analistë që kanë target zhvillimet në Ballkan, Caplan pohon se nuk mendon se me këtë marrëveshje BE-ja po dërgon një mesazh, por, në optikën e tij, “kjo e afron më shumë BE-në dhe Serbinë”.

Nga të shumtë kritikues të kësaj marrëveshje ndërkombëtarë që merren me Ballkanin, ka qenë edhe Florian Bieber nga Qendra e Studimeve të Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit (CSEES).

Bieber ka thënë, përmes një postimi në platformën X, se kjo marrëveshje më shumë u shërben interesave të BE-së sesa vlerave të saj.

Prandaj, sipas tij, zgjerimi i BE-së “ka vdekur”.

“Mesazhi do të dëgjohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Një marrëveshje që i shërben BE-së është më e rëndësishme se vlerat. Me një qasje të tillë, zgjerimi i BE-së ka vdekur”, shkroi ai ndër të tjera.

Ndryshe, memorandumi mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian – ndër të tjera – synon të sjellë përfitime reciproke në përputhje me Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

The post Litiumi serb dhe “Tulipmania” appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here