kosova-ne-prag-te-sezonit-zgjedhor-–-lideret-ne-kerkim-te-dates-se-pershtatshme

Duke qenë se Kosova shpejt do ta hapë sezonin zgjedhor – një kohë kur qytetarët fillojnë t’i kushtojnë shumë vëmendje fushatës elektorale, ndërsa partitë politike i kthehen rutinës përgatitore për betejën e radhës – presidentja kosovare, Vjosa Osmani-Sadriu, ka nisur veprimet institucionale për organizimin e zgjedhjeve parlamentare në fillim të vitit të ardhshëm.

Kosova gjithashtu ka hyrë zyrtarisht brenda afateve ligjore në kuadër të të cilave presidentja Osmani-Sadriu mund të shpallë datën e zgjedhjeve parlamentare. Në këtë kontekst, partitë politike në vend kanë paralajmëruar se do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga presidentja për t’u konsultuar rreth caktimit të datës së zgjedhjeve të rregullta parlamentare në nivel vendi.

Partia Demokratike (PDK), Lidhja Demokratike (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë konfirmuar të shtunën se do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga shefja e shtetit për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve. E ftesës së presidentes Osmani-Sadriu i është përgjigjur në mënyrë pozitive edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet ekzekutiv.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë të shtunën në një konferencë për shtyp se qëndrimi i PDK-së për datën e preferuar të zgjedhjeve parlamentare do të zbulohet pas këtij takimi konsultativ që pritet të mbahet më 31 korrik 2024, në orën 14:00. Ajo ka kujtuar gjithashtu se PDK-ja ka qenë e gatshme për zgjedhje qysh në korrik të vitit të kaluar.

“Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës. E kemi obligim kushtetues e ligjor që të marrim pjesë. PDK-ja nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani lidhet me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta. Ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe për datën e preferuar do ta themi aty”, ka thënë ajo.

Një qëndrim pothuajse të ngjashëm e ka artikuluar të premten edhe zëdhënësi dhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, i cili ka thënë se kryetari i subjektit më të vjetër politik në vend, Lumir Abdixhiku, do ta shpalosë pozicionin e LDK-së rreth zgjedhjeve përgjatë takimit të së mërkurës.

“Ju konfirmoj që kryetari Abdixhiku ka pranuar ftesën dhe të mërkurën do të japë qëndrimet e LDK-së”, ka njoftuar Mustafa në një përgjigje për media. Në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, zgjedhjet do të mund të mbahen të dielën e 26 janarit ose më 16 shkurt, përkatësisht 30 ditë para përfundimit të mandatit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

E zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli, ashtu sikurse kolegët tjerë në opozitë, nuk ka treguar se për cilën datë janë, por ka thënë se vendimi do të merret nga strukturat e partisë: “Nuk shohim ndonjë arsye që AAK-ja të mos jetë pjesë e konsultimeve, por sidoqoftë vendimin për këtë çështje do ta marrin strukturat e partisë – ditën e hënë”, ka potencuar Xhemajli.

Ndryshe, partitë politike veçse kanë filluar të mobilizohen për shkak se mandati i ekzekutivit aktual nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) përfundon në fillim të vitit 2025. Përkundër që partitë politike kanë shprehur gatishmëri për zgjedhje të parakohshme gjatë verës, nuk ka pasur konsensus në mesin e subjekteve opozitare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

The post Kosova në prag të sezonit zgjedhor – liderët në kërkim të datës së përshtatshme appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here