Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka potencuar se partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka sjellë ndryshim në Kosovë, por për të keq.
Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, Selmanaj ndërsa ka kujtuar sloganin e LVV-së sa ishte në opozitë: “Nuk jemi si ata”. “Ne jemi ndryshimi”, ka theksuar disa nga skandalet dhe dëmet që kjo parti i ka shkaktuar vendit për 3 vjet e gjysmë në ekzekutiv.
“Ju jeni ndryshe, sepse askush si ju nuk e ka shkelur Kushtetutën kaq shumë herë. Ju jeni ndryshe, sepse prishni raportet me aleatin tonë jetik. Ju jeni ndryshe, sepse vetëm ju tash e 400 ditë e keni vendosur Kosovën nën sanksione nga BE. Ju jeni ndryshe, sepse vetëm ju vidhni në rezervat shtetërore (magjen e shtetit)”, ka shkruar ai.
Sipas Selmanajt LVV-ja vërtetë është ndryshe meqë askush nuk mund të jetë “kaq e dëmshëm sa këta”.
“Ju jeni ndryshe, sepse vetëm ju nënshkruni dhe abuzoni me mbi 240 milionë euro kontrata sekrete. Ju jeni ndryshe, sepse vjedhni në tekstet shkollore për fëmijë. Ju jeni ndryshe, sepse vetëm ju emëroni ambasadorë që marrin para nga Beogradi. Ju jeni ndryshe, sepse e pranuat autonominë politike dhe territoriale për serbët e Kosovës. Ju jeni ndryshe, sepse glorifikoni kriminel lufte si Oliver Ivanoviç dhe figura kontraverse si Zoran Gjinçiç”.
Selmanaj ka akuzuar qeverinë se në këto tri vjet e gjysmë në ekzekutiv ka instaluar diktaturë në Kosovë.
“Ju jeni ndryshe, sepse vetëm juve Dejona mund t’ju urdhërojë dhe t’ju tregojë çfarë të flisni. Ju jeni ndryshe, sepse vetëm ju e duroni bashkëpunëtoren e Radojçiqit për shefe të grupit parlamentar. Ju jeni ndryshe, sepse vetëm ju sulmoni mediat, vetëm pse ato shfaqin dështimin tuaj. Vërtet, ju jeni ndryshe, sepse askush nuk mund të jetë kaq i keq sa ju”.
Megjithatë në vlerësimin e tij për këtë keq-qeverisje populli i Kosovës do ta dënojë LVV-në me votë.
The post Selmanaj: LVV solli ndryshimin në Kosovë, por për të keq appeared first on Albanian Post.








