Nita Shala nga e kjo e enjte do të jetë ambasadore e Kosovës në Itali.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, përmes një postimi në Facebook.
“Nita Shala është profesoreshë e së drejtës dhe avokate me eksperiencë të gjerë profesionale në institucione ndërkombëtare. Ajo mban titullin doktor shkencash në drejtësi nga Graduate Institute-Geneva dhe ka përfunduar studimet themelore në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, studimet master për drejtësi penale në Universitetin e Oxfordit dhe studime ekzekutive në Harvard, Shkolla për Qeverisje Kennedy”, shkroi kryediplomatja.
Ajo theksoi se është e bindur që me Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Kosovës, Nita Shala, “marrëdhëniet tona ndërshtetërore me Italinë do të shënojnë hapa të ri të zhvillimit dhe fuqizimit të tyre”.
Ambasada dhe ambasadorja Shala, potencoi ajo, “do t’i shërbejnë me përkushtim mërgatës sonë të përqendruar në Itali”.
Në fund, ajo falënderoi ambasadoren e deritanishme, Lendita Haxhitasim, për “kontributin e saj të çmuar”.
The post Nita Shala ambasadore e Kosovës në Itali appeared first on Albanian Post.








