Richard Grenell, diplomati kontravers që ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara (SHBA) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump, ka kërkuar nga administrata aktuale amerikane “reagim më të ashpër” ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, rreth zhvillimeve të fundit.
Duke reaguar ndaj një deklarate të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës, diplomati amerikan ka kërkuar që SHBA-të të lëvizin para se të përshkallëzohet situata në Kosovë. Grenelli ka shtuar se kreu i ekzekutivit kosovar është problemi, derisa ka akuzuar zyrtarët amerikanë dhe evropianë se janë të dobët.
“Kurti është problemi dhe të gjithë e dinë. Shumë zyrtarë të administratës amerikane dhe zyrtarë evropianë janë thjesht shumë të dobët – Kurti nuk sprapset nga distanca përmes deklaratave. Ju keni mjete për të shkaktuar pasoja – përdorni ato tani përpara se të ketë një përshkallëzim”.
Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë ka deklaruar se është e zhgënjyer nga Qeveria e Kosovës për mbylljen e degëve ilegale të Postës së Serbisë në veri të territorit kosovar, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” në Ballkanin Perëndimor.
Përkundër se situata e përgjithshme në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, akoma perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
The post Grenelli apelon SHBA-të të marrin “masa më të ashpra” ndaj kryeministrit Kurti appeared first on Albanian Post.








