Ashtu edhe siç pritej, përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – me në krye kryetarin e saj, Zlatan Elek, e kanë kundërshtuar mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës.
“Do të vazhdojmë të jetojmë, punojnë në këto zona dhe do t’i rezistojmë presioneve të pushtetit në Prishtinë, siç ishte bastisja e dhunshme e djeshme në objektet e Postës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, e cila ishte e paligjshme dhe kundër të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel në vitin 2015”, tha Elek, në një intervistë për mediumin serb Tv Most.
“Në këto momente duhet të jemi të bashkuar. Drejtësia është në anën tonë dhe ne do të qëndrojmë dhe do të mbijetojmë në këto zona me ndihmën e Republikës së Serbisë dhe presidentit tonë Aleksandër Vuçiç”, shtoi ai.
Ndërkaq presidenti serb Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i interesuar për “konflikt të armatosur”.
“Ne nuk duam luftë, duam të ruajmë paqen. Kurti po e bën këtë në mënyrë të qëllimshme dhe të organizuar, me mbështetjen e disa fuqive perëndimore”, theksoi Vuçiç para gazetarëve.
Ai po ashtu ka pretenduar se me veprimet e fundit është shkelur një marrëveshje e vitit 2015, e arritur në Bruksel, për telekomunikacionin dhe Postën e Serbisë.
“Unë jam shumë i shqetësuar. Nuk do të flas më tutje sepse kam frikë se mund të dëmtojë interesat e Serbisë. Unë personalisht kam folur me Lajçakun, kështu që do të shohim se çfarë do të bëjnë”, potencoi ai.
Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq u mbyllën nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.
Nga Policia e Kosovës thanë se aksioni u zhvillua pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Bashkimi Evropian e kritikoi aksionin, duke thënë se ishte një veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar i autoriteteve të Kosovës.
Edhe Shtetet e Bashkuara thanë se janë “thellësisht të zhgënjyera” për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë.
The post Mbyllja e degëve të postës serbe, kryetari i Listës Serbe: Do t’i rezistojmë presioneve me ndihmën e Vuçiç-it appeared first on Albanian Post.








