durmishi:-per-dy-tre-dite-do-ta-kemi-raportin-per-stabilitetin-e-ures-se-ibrit

Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Hysen Durmishi, ka njoftuar se në një afat kohor prej “dy apo tri” ditësh do ta kenë raportin që konstaton nëse ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë është apo nuk është stabile për hapjen për lëvizjen e automjeteve.

Para hapjes së urës mbi lumin Ibër, ekzekutivi kosovar synon të testojë “kapacitetit mbajtës të strukturës ekzistuese të urës” fillimisht. MMPHI ka shpërblyer me kontratë kompaninë “IPE PROING SHPK” në Prishtinë, punëtorët e së cilës kanë veçse nisur inspektimet teknike të urës së Ibrit.

“Sot jemi këtu duke i bërë testimet për stabilitetin e urës mbi lumin Ibër. Ne kemi filluar para dy dite… gjatë ditës do të përfundojë ky proces në mënyrë që brenda dy – tre ditësh ta kemi raportin final, i cili konstaton nëse ura është stabile apo jo për qarkullimin e automjeteve”, ka theksuar Durmishi.

Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), më 2 gusht, kanë deklaruar se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment, ndërsa Forca e NATO-së në Kosovë (KFOR), ka theksuar se çdo vendim për hapjen e urës duhet të merret në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, në takimin e organizuar nga komuna e Mitrovicës së Veriut rreth “bashkëpunimit ndëretnik” në Kosovë, ka thënë se kërkesa për mos-hapjen e urës mbi lumin Ibër nuk është vetëm e paarsyeshme, por edhe absurde, sepse, sipas tij, hapja e urës që aktualisht ndan qytetin nuk e rrezikon paqen.

“Dua të ritheksoj se ura e Mitrovicës do të bëhet simbol i lehtësimit të kontakteve të të gjithë qytetarëvë të Mitrovicës se Veriut dhe Mitrovicës së Jugut. Konsideroj se jo vetëm që nuk ka arsye, por tashmë është absurde vazhdimi i mbajtjes së urës mbyllur… Jemi të bindur që liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikon paqen dhe sigurinë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndryshe, disa qytetarë nga radhët e komunitet serb, të cilët kanë marrë pjesë në këtë debat të organizuar nga komuna e Mitrovicës së Veriut, kanë theksuar se nuk është e nevojshme që të hapet ura për automjete, ndërsa gjithashtu kanë shprehur pakënaqësi rreth pranisë së madhe policore në veri të vendit.

The post Durmishi: Për dy-tre ditë do ta kemi raportin për stabilitetin e Urës së Ibrit appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here