Strukturat e emergjencës civile në Bashkinë e Shkodrës kanë përditësuar të dhënat lidhur me situatën e zjarreve në këtë territor.
Referuar informacioneve zyrtare, gjatë paradites së kësaj të enjteje të 15 gushtit, është shfaqur një vatër zjarri në vendin e quajtur Guri i Nënshtegut në afërsi të fshatit Theth.
Pranë vatrës së zjarrit janë drejtuar punonjës të Njësisë Administrative, banorë të zonës dhe specialistë zonave të mbrojtura.
Kurse nga Shkodra, është nisur edhe një mjet zjarrfikës së bashku me efektiv të repartit të zjarrfikësve të Shkodrës.
Në koordinim me strukturat e emergjencave civile në Prefekturën e Shkodrës në drejtim të Thethit është nisur edhe një grup prej 30 ushtarësh për të qenë pjesë e operacionit për shuarjen e kësaj vatre zjarri në afërsi të fshatit Theth.
Gjithashtu rreth orës 12 të paradites së sotme është riativizuar vatra e zjarrit në lagjen Kaprre në fshatin Ndërlysaj, ku edhe atje ka prezencë të forcave të angazhuara për shuarjen e flakëve të zjarrit.
Zjarri po përhapet për shkak të erës që favorizon flakët e zjarrit.
Puna është përqendruar në izolimin e vatrës së zjarrit me qëllim që të mos krijojë rrezikshmëri për bujtinat dhe banesat në zonën e Thethit.
Javë të vështirë jo vetëm në vendin tonë, por për të gjithë rajonin e ka konsideruar ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu, përballjen me zjarret.
Dita e djeshme ka shënuar intensitetin më të lartë të vatrave, por pjesa më e madhe e tyre thotë Vëngu, janë shuar.
“Kemi patur një javë të vështirë, jo vetëm për vendin por edhe për të gjithë rajonin dhe dita e djeshme ka qenë dita me intensitetin më të madh të vatrave të zjarreve, 40 vatra të identifikuara në rang vendi, kemi arritur të shuajmë 30 të tyre, kemi 10 të tjera që po tentojmë t’i shuajmë”, ka bërë me dije ministri.
Ai kërkon reagim të shpejtë për shmangur rrezikun e jetës së qytetarëve apo pronës së tyre.
“Gatishmëria është rritur, edhe falë mbërritjes së dy helikopterëve rumunë, sigurisht koha është për reagim të shpejtë, të kemi përparësi mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronën e tyre”.
Sa i takon zjarreve aktive, Drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako tha se vatra më e vështirë ajo në Parkun kombëtar të Prespës po shpresohet të vihet nën kontroll total.
“Vazhdon në Prespë, është vënë nën kontroll, në pjesën më të madhe vatrat po monitorohen”.
Mali i Thatë, pjesë e Parkut Kombëtar të Prespës vijon të digjet prej 10 ditësh.
Edhe pse prej ditës së djeshme në aksion është një avion rumun ende flakët nuk janë shuar.
Ndërhyrja nga ajri dhe toka me 120 forca të angazhuara do të vijojë gjatë të enjtes, duke shpresuar se falë këtij operacioni kompleks të bëjnë të mundur shuarjen e plotë të të gjitha vatrave.
The post Zjarr në afërsi të Thethit, në ndihmë edhe 30 ushtarë appeared first on Albanian Post.








