s’e-deklaroi-token,-biznesin…-gervalla-rrezikon-3-deri-ne-5-vjet-burgim-nese-shpallet-fajtore

Tre deri në pesë vjet burgim mund të dënohet ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, nëse shpallet fajtore për raportim të rremë të pasurisë.

Kështu thotë në një bisedë për Albanain Post, avokati Ardian Bajraktari, pasi kryediplomates kosovare iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Themelore këtë hënë.

“Çdo person i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet”, shtoi.

Tutje Bajraktari ka theksuar se sipas Kodit Penal të Kosovës, nëse vërtetohet se Gërvalla nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë me kohë, mund të dënohet me gjobë ose me tre vjet burgim.

“Çdo person zyrtar i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet”, ka shpjeguar ai.

Ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinës ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj zëvendëskryeministres Gërvalla.

Sipas vendimit të gjykatës të datës 19 qershor të këtij viti, përmes të cilit gjykata ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësja e Gërvallës, avokatja Saranda Keqekolla-Sadiku.

“Gjykata çmoi se vepra penale për të cilën akuzohet e pandehura përbën vepër penale. Gjykata detyrohet që saktësisht dhe tërësisht t’i vërtetoj faktet të cilat janë të rëndësishme për marrjen e vendimit të ligjshëm konsiderojmë se në këtë çështje penale duhet të mbahet shqyrtimi gjyqësorë në mënyrë që gjykata të ketë një pasqyrë më të qartë lidhur me këtë çështje penale”, thuhet në vendim.

Ndërkaq Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj të vitit të kaluar, kishte konfirmuar se është ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Sipas aktakuzës, Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.

Aktakuza thotë se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.

Po ashtu në aktakuzë potencohet se kryediplomatja nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.

Sipas organit të akuzës, Gërvalla nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.

Por, Gërvalla përmes një postimi në platformën sociale “Facebook”, aktakuzën ndaj saj e kishte cilësuar si përpjekje për të hedhur “baltë” mbi përfaqësuesit e institucioneve.

The post S’e deklaroi tokën, biznesin… Gërvalla rrezikon 3 deri në 5 vjet burgim nëse shpallet fajtore appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here