Aktualisht në këtë kohë të pandemisë, Kosova gjendet në një situatë të rëndë shëndetësore dhe ekonomike e cila ka pasur efekte të mëdha negative në zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit tonë. Me këtë rast është ardhur deri te zvogëlimi i prodhimit vendor, janë larguar mbi 60 mijë punëtorë, të cilët janë shndërruar në problem social, ka ardhur deri te rritja e çmimeve, që kanë ndikuar në buxhetin familjar, duke e “zbrazur” xhepin dhe zvogëlimin e fuqisë blerëse të konsumatorit, rritjen e varfërisë, të problemeve sociale, e zvogëlimin e standardit jetësor të popullsisë, e kështu me rradhë. Andaj, para Qeverisë së Kosovës po paraqiten probleme mjaft komplekse politike, shoqërore dhe ekonomike. Së pari, janë problemet se cilat do të jenë masat më adekuate për të ndaluar dhe dal nga pandemia, e të cilat nuk do të kenë efekte të mëdha negative në zhvillimin ekonomik, së dyti, marrja e masave konkrete për rimëkëmbjen e ekonomisë. Unë me këtë rast nuk do të ndalem në elaborimin e kësaj situate, por do të përqendrohem në masat ekonomike që Qeveria aktuale, po i merrë në politikën e tregtisë së jashtme, përkatësisht në zbatimin e masave të reciprocitetit.








