Një gjykatë në Rusi më 1 prill ia zgjati paraburgimin gazetares së Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, deri më 5 qershor, raporton Shërbimi Tatar-Bashkir i Radios Evropa e Lirë. Kurmasheva, 47 vjeç, u arrestua në Kazan tetorin e kaluar dhe u akuzua se nuk është regjistruar si agjente e huaj sipas një ligji ndëshkues rus që shënjestëron gazetarët, aktivistët e shoqërisë civile dhe të tjerë.








