Home Shqipëria “Jo profesionale” dhe “jo të qëndrueshme”, ekonomistët demantojnë Muratin rreth numrit “rekord”...

“Jo profesionale” dhe “jo të qëndrueshme”, ekonomistët demantojnë Muratin rreth numrit “rekord” të hapjes së bizneseve

4
0
“jo-profesionale”-dhe-“jo-te-qendrueshme”,-ekonomistet-demantojne-muratin-rreth-numrit-“rekord”-te-hapjes-se-bizneseve

Për dy herë radhazi gjatë muajit mars, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati deklaroi se në Kosovë janë hapur më shumë biznese të reja sesa që janë mbyllur duke thënë se “po e demanton propagandën”, e cila sipas tij po bëhet nga opozita.

Por, këto deklarata të ministrit Murati, nga njohësit e çështjeve ekonomike po vlerësohen si “jo profesionale” dhe “jo të qëndrueshme” në raport me realitetin.

Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, s’duhet të flitet për hapjen e bizneseve të reja, por për numrin e punonjësve që po punësojnë ato.

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Bashkim Mustafa, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thotë se ka kritika për krahasimet që bënë ministri Murati gjatë gjithë kohës, kjo pasi që nuk përshtaten me faktet.

“Ky rast s’është i pari ku ministri Murati bënë krahasime jo profesionale dhe jo të qëndrueshme. Nuk bëhen krahasime të tilla mbi bazën e numrit të hapjes dhe mbylljes së bizneseve”.

“Kjo pasi një biznes i mbyllur mund të ketë numër më të madh të punësuarve, qarkullim më të lartë financiar e aktivitet më të lartë banesor në raport me një biznes të ri që hapet me kapital themeltar 1 mijë e 500 euro, e me numër të vogël të punësuarve”, thotë Mustafa për AP.

Por, sipas tij hallin Murati si udhëheqës i Financave duhet ta ketë dikund tjetër.

“Shqetësuese në këtë periudhë është rënia e aktivitetit të bizneseve në përgjithësi dhe rënia e fuqisë blerëse e që do të ketë pasoja më të mëdha për ekonominë e vendit”.

Foto: Ilustrim.

“Të dhënat e ministrit, s’janë tregues determinues”

Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike Erton Bega, thotë se deklarata e 30 marsit e ministrit Murati është diçka që thuhet në secilën Qeveri.

Bega, gjatë një bisede për Albanian Post e konsideron këtë ngjarje si diçka të zakonshme.

“Deklarata e ministrit Murati është zhvillim i zakonshëm në ekonomi. Ngjashëm ka ndodhur në çdo Qeveri”.

Edhe në të kaluarën thekson ai që janë hapur biznese të reja, e janë mbyllur disa të tjera.

“Gjithmonë ka biznese të reja që hapen dhe ekzistuese që shuhen. Ne i kemi vetëm të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të ngjashme me ato që i ka prezantuar ministri Murati”, thotë Bega.

Duke shtuar se të dhënat e prezantuara “s’janë tregues determinues i zhvillimeve në ekonominë e vendit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati gjatë vizitave në biznese.

Më 30 mars, Murati deklaroi se në janar janë hapur 998 biznese të reja, ndërsa janë shuar 133 sosh.

Në vitin 2023 ai tha se janë regjistruar gjithsej 11 mijë 409 biznese të reja.

Duke thënë se “nëpër studio televizive flitet vetëm për ato të shuarat, për të krijuar përshtypjen e një apokalipsi të paqenë”.

Edhe në një konferencë për media më 22 mars Murati, është përgjigjur ndaj kritikave të opozitës lidhur me deklaratat e tyre për mbylljen e bizneseve duke thënë se ka më shumë hapje të bizneseve të reja, sesa mbyllje të atyre të vjetrave.

“Nëse e krahasojmë edhe me numrin e tatimpaguesve, bizneseve tatimpaguese aktive sepse zakonisht kur po flitet për ekonominë opozita ka dëshirë të tregojë se sa biznese janë mbyllur do të thotë janë mbyllur 2 mijë biznese brenda vitit, por s’tregon që janë hapur 12 mijë biznese të reja”, kishte thënë ai.

Sipas tij, hapja e bizneseve të reja në Kosovë ka shënuar numër rekord.

Nga pandemia COVID-19 ishin mbyllur rreth 1 mijë e 330 biznese, duke lënë të pa punë rreth 3 mijë e 300 punëtorë, megjithatë figuronte një numër më i madh i hapjeve të bizneseve të reja por që të dhënat për punësim s’ishin bërë publike.

Në 2021 ishin hapur mbi 9 mijë biznese të reja, tregonin shifrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (AKB).

Përfaqësues të bizneseve kishin thënë se mbyllja, por edhe hapja e bizneseve në sektorë të njëjtë, ndodh për shkak se ekonomia e Kosovës vazhdon të jetë e orientuar në sektorët e tregtisë me shumicë dhe pakicë e më pak në prodhim.

Në programin katërvjeçar të Qeverisë aktuale të Kosovës qëndron zotimi për orientimin e ekonomisë kah prodhimi dhe eksporti.

Ministri Murati, gjatë gjithë kohës është arsyetuar me hapjen e bizneseve të reja, por që nga opozita është kritikuar për mbyllje të tyre për shkak të papunësisë.

The post “Jo profesionale” dhe “jo të qëndrueshme”, ekonomistët demantojnë Muratin rreth numrit “rekord” të hapjes së bizneseve appeared first on Albanian Post.

Previous articleJuventus konsideron rikthimin e ish-mbrojtësit legjendar
Next articleTrump Media u shpëtua në vitin 2022 nga ruso-amerikani nën hetim penal

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here