Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka refuzuar të komentojë paralajmërimet e Serbisë për formimin e një ekipi që do të punojë për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropian, ka reaguar duke pyetur se përse BE-ja po bën sjellje të pabalancuara.
Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, ka thënë se kur BE-së nuk i konvenon refuzon të përgjigjet në pyetje.
“Kur Serbia shkel në mënyrë të vazhdueshme marrëveshjet, BE-ja preferon të mos hyjë në detaje dhe të përmbahet nga komentet e mëtejme. Por kur bëhet fjalë për Kosovën, ato mund të jenë po aq specifike sa komentimi i një vendimi për shpronësim të tokës, dhe që të vihet me gisht. Pse?”, ka shkruar ministri Krasniqi në ‘X’.
When Serbia repeatedly violates the agreements, EU prefers rather not to go into details & refrains itself from any further comments. But when Kosova is in question they can be as specific as commenting a govt decision on land expropriation, & forthcoming to point fingers. Why?
— elbertkrasniqi (@elbertkrasniqi) April 5, 2024
Stano, ka hezituar të thotë se një sjellje e tillë e Beogradit shkel njërin prej neneve të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.
“Nuk dua të hyjë në komente të asaj se çfarë ka thënë dhe çfarë dëshiron të bëjë presidenti Vuçiç. Unë mund të përsëris se bazuar në pritjet e Bashkimit Evropian, si Serbia ashtu edhe Kosova duhet pa vonesa tjera të nisin të implementojnë marrëveshjen për të cilën ishin pajtuar para më shumë se një viti në Ohër. Kjo është me rëndësi të madhe”, tha Stano në një konferencë për media.
Ai ka ripërsëritur faktin se do të ketë pasoja serioze si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë nëse të njëjtit refuzojnë të zbatojnë Marrëveshjen Bazë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten, ka kërkuar që Qeveria e Serbisë të formojë një ekip që do të udhëheqë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Përkundër përkrahësve të fortë të pavarësisë së Kosovës, unë ende mendoj se kemi një shans të vogël dhe prandaj ju kërkoj që të luftoni më fort se kurrë. Nuk dua të jem i pakëndshëm para mediave, vetëm ju kërkoj që t’i përkushtoheni”, ka thënë Vuçiç në një seancë të posaçme të Qeverisë së Serbisë.
Ky ekip dhe fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në vlerësimin e Vuçiç-it “është e një rëndësie vendimtare për Serbinë”.
“Është e mundur që disa vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të mos jenë pozitive për anëtarësimin e Kosovës në KiE”, ka pretenduar ai.
Vuçiç para disa jave paralajmëroi largimin e Serbisë nga Këshilli i Evropës në rast se Kosova anëtarësohet në këtë organizatë ndërkombëtare.
Idenë e tij e mbështeti ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç.
Vuçiç gjithashtu paralajmëroi “reagim të fortë dhe të përgjegjshëm” në rast se Kosova pranohet në Këshillin e Evropës.
Kosova, më 27 mars, kaloi edhe një pengesë drejt rrugës së saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ku aplikoi në maj të vitit 2022.
Të mërkurën Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të KiE-së miratoi opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhej që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Nga 36 përfaqësues të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që morën pjesë, 31 votuan për, 4 ishin kundër miratimit të opinionit ndërsa një përfaqësues abstenoi.
Dy përfaqësues të Serbisë votuan kundër Kosovës. Për mos miratimin e opinionit votoi kundër edhe përfaqësuesi i Malit të Zi dhe ai i Bosnje e Hercegovinës.
Abstenues ishte përfaqësuesi i Greqisë në KiE.
Kosova ka përpara edhe dy faza të tjera para se të bëhet anëtare e plotë e kësaj organizate ndërkombëtare.
Pas votimit të 27 marsit në Paris, kërkesa për anëtarësim e Kosovës procedohet tutje në Asamblenë Parlamentare e cila pritet të mblidhet më 18 prill.
Në rast se edhe këtu Kosova siguron 2/3 e votave të nevojshme atëherë kërkesa e anëtarësimit të Kosovës në KiE i përcillet Këshillit të Ministrave.
Fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës do ta jap Këshilli i Ministrave të KiE-së gjatë një mbledhje që pritet ta mbaj në muajin maj të këtij viti – 2 vjet pasi Kosova dorëzoi zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.
Votimi në Këshillin e Ministrave bëhet në dy nivele.
Në nivelin ministror Kosova duhet të sigurojë 31 vota nga 46 shtete që marrin pjesë në votim
Ndërsa në nivelin e zëvendës-ministrave duhet të sigurojë fillimisht një kuorum prej 31 përfaqësuesish dhe më pastaj votën unanime të tyre ( 31 përfaqësuesit duhet të votojnë për).
Votimi i 27 marsit erdhi edhe pas një zotimi që krerët institucional të shtetit i kishin dhënë diplomates greke lidhur me opinionin e saj.
Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e Albin Kurti ishin zotuar se do t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
The post Krasniqi, BE-së: Për Kosovën komenton gjithçka, pse s’flet për shkeljet e Serbisë appeared first on Albanian Post.








