Home Shqipëria Bardhi: Shantazhi i Veliajt ndaj Edi Ramës funksionoi, e mbështeti më shumë...

Bardhi: Shantazhi i Veliajt ndaj Edi Ramës funksionoi, e mbështeti më shumë se sa Olsin

2
0
bardhi:-shantazhi-i-veliajt-ndaj-edi-rames-funksionoi,-e-mbeshteti-me-shume-se-sa-olsin

Kryetari i Grupit Parlamentar të Rithemelimit, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me shkrimin e kryeministrit Edi Rama, ku shpreh dakordësinë me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj pas deklaratës që bëri ky i fundit për arrestimet e urdhëruara nga SPAK për disa zyrtarë në Bashkinë Tiranë.

Bardhi shprehet se Rama mbështeti Veliajn sepse e di që kryebashkiaku i ka në dorë fatin e pushtetit.

“Shantazhi i Erion Veliajt ndaj Edi Ramës funksionoi! Nuk janë thjesht dy hallexhinj të drejtësisë, por edhe dy bashkëpunëtorë të afërt, ku fati i njërit përcakton fatin e tjetrit. Prandaj sot Edi Rama mbështeti Erion Veliajn edhe më shumë sesa mbështeti vëllain e tij biologjik Olsi Rama, sepse e di që Erion Veliaj i ka në dorë fatin e pushtetit”.

Ai shtoi se “pasi Gjykata Antikorrupsion urdhëroi SPAK të hetojë edhe Erion Veliajn, Edi Rama zgjodhi edhe kësaj here të sulmojë opozitën”.

“Asnjë fjalë për thelbin e çështjes, asnjë sqarim sesi vjedhja e të paktën 22 milion eurove nga buxheti i Bashkisë Tiranë i shpëtojë syrit të patronazhistëve të tij, që dinë gjithçka për çdo qytetarë, por nuk dinë që Shtabi Elektoral i Erjon Veliajt me nje skemë të pastër mashtrimi kanë vjedhur të paktën 22 milion euro. Çdo Kryeministër i pashantazhueshëm do kishte mbështetur Gjykatën Antikorrupsion që kërkon të hetohet Erion Veliaj, dhe kurrsesi këtë të fundit”.

Lidhur me këto zhvillime ka reaguar dhe kryedemokrati, Lulzim Basha ku theksoi se fundi i pandëshkueshmërisë është dita e parë e demokracisë së vërtetë për shqiptarët.

Veliaj u doli në mbrojtje ish-drejtorëve, Basha: Të ndalen duart e pista që duan të kontrollojnë SPAK-un

Ndërsa, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një postimi të gjatë në X – dikur Twitter ka dalë në mbështetje të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj “në mesazhin e drejtëpërdrejtë lidhur me ndalimin nga SPAK-u të disa ish-drejtorëve e drejtorëve të bashkisë!”.

Ai e nis reagimin duke thënë se “mendësia e vjetër komunistenakatosur me thashetheme kafenesh, mllefe interesaxhinjsh dhe interesa gjobaxhinjsh, nëpër ekrane e portale që u ngjajnë tabelave të fletë-rrufeve të komunizmit, prodhon përditë baltë e helm me çështjet e drejtësisë!”.

“Po kësaj s’kemi ç’i bëjmë për sa kohë shpifjet e politikanëve dhe denigrimet e killerave mediatikë, janë bërë pjesë e jetës sonë publike të kthyer në një xhungël ku s’e merr vesh i pari të dytin; ku nuk debatohet me argumenta po vetëm propagandohet me akuza e bërtitet për të mos lënë tjetrin të flasë; ku liria e shprehjes është bërë liri e shpifjes; ku shpifësit përveçse me votë nuk ndëshkohen as me ligj e as me zakon, po veç gjuajnë me një pafytyrësi që edhe në Kanunin e vjetër të shqiptarëve, edhe në çdo libër edukate të qytetërimit demokratik, konsiderohet shkelje e pafalshme”.

Por, thekson Rama, “ky i sotmi është përsëri rasti për të thënë me zë të lartë, se mbështetja jonë për SPAK-un nuk është propagandë, po vullnet i hekurt politik; qëndrimi ynë pa koment, sa herë SPAK-u godet brenda strukturave të ekzekutivit në çdo nivel, nuk është strukje, as frikë, po shprehje shembullore e vijës së kuqe mes nesh, partisë që qeveris e udhëheq Reformën në Drejtësi dhe Drejtësisë së Re që ka të gjithë mbështetjen tonë’.

Kreu i qeverisë thekson se “goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdqoftë në radhët e ekzekutivit, në çdo nivel të qeverisjes, që ka shkelur ligjin dhe ka tradhëtuar misionin tonë në shërbim të këtij vendi e të këtij populli, ne nuk i përjetojmë si gjëma, as si fajësi kolektive, po si një ndihmë të paçmuar në një luftë kundër korrupsionit, të cilën deri dje nuk e bënim dot sa e si duhej, pikërisht sepse mungonte krahu i drejtësisë së pavarur!”.

ipas kryeministrit, edhe kjo çështja më e fundit e disa ish-zyrtarëve e zyrtarëve të bashkisë Tiranë, edhe “qëndrimi i drejtë i Erionit sot, me të cilin bashkohem fjalë e presje, dëshmojnë edhe njëherë se ne as nuk e kontrollojmë SPAK-un, as nuk kemi ndërmend të ndryshojmë qasjen fuqimisht mbështetëse për SPAK-un”.

Gjithashtu, “as nuk komentojmë çfarëdoqoftë lidhur me vërtetësinë e akuzave të SPAK-ut, për këdoqoftë që SPAK-u merr të pandehur dhe as nuk kemi asnjë lidhje me dokrrat e segmentit politik e mediatik, që prodhon përditë baltë e helm në seanca parlamentare, shfaqje televizive e kanale digjitale, ku lloj-lloj pjellash të mendësisë së errët inkuizicionale, na bëjnë gjyqe si ato të komunizmit, duke u përpjekur të na fusin të tërëve në çdo trastë e thes korrupsioni që hapet nga SPAK-u!”.

Rana ravijëzon se janë në këtë detyrë “për të bërë Shqipërinë Europiane 2030 me reforma të vërteta, përpjekje të mëdha, vendosmëri absolute dhe me të gjitha forcat e ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit, ku punët janë të ndara e ku lavdi Zotit, popullit që e mbështeti fuqimisht hapjen e rrugës së Reformës në Drejtësi dhe Partisë Socialiste, e cila i hyri detit në këmbë për ta hapur këtë rrugë”.

“Tanimë s’jemi më vendi ku për 100 e kusur vite nuk u hetua e gjykua kurrë nga një drejtësi e pavarur, as edhe një person me pushtet politik a lidhje me të! Prandaj qentë le të lehin, Shqipëria do të shkojë përpara, me qeverinë e Partisë Socialiste që do të ecë vetëm përpara, me Drejtësinë e Re që duhet të vazhdojë vetëm përpara, pa i lënë kusur askujt që përdor flamujt e partive, majtas e djathtas, lart apo poshtë, për të nxjerrë përfitime të paligjshme për veten a të afërmit e vet, duke punuar për shtetin me një xhep të dukshëm për të ardhurat nga puna dhe me një xhep të fshehtë për paratë e marra me korrupsion”.

Çfarë deklaroi sot Erion Veliaj?

Qytetari i parë i Tiranës, Erion Veliaj, në një reagim nga zyra e tij u ka dalë në mbrojtje ish-zyrtarëve të institucionit që ai drejton, të cilët tashmë ndodhen pas hekurave.

Sipas Veliajt, ish-drejtorët ishin në krye të detyrës dhe e kanë realizuar atë më së miri.

“Redi Molla e kthehu në funksion ndërmarrjen e falimentuar të Ujësjellësit. E kthehu Tiranën nga 7 orë në 24 orë të furnizimit me ujë. Taulant Tusha ka ndjekur në mënyrë të jashtëzakonshme punën. Ka ndjekur me prioritet projektet e Tiranës”, tha kryebashkiaku.

Ai e cilësoi të gjitha reagimet e opozitës si gjueti shtrigash.

Për Veliajn një kryebashkiak nuk mund të dijë çdo gjë.

“Në pritje të fjalës së fundit të tyre, unë vetë ju them se asnjë përfitim i paligjshëm i tyre nuk më ka lidhur. Gabime mund të kem bërë plot, por kurrë se kam vënë firmën për përfitim personal apo të paligjshëm”.

Ndërkaq, Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi masat për ish-zyrtarët e bashkisë së Tiranës, duke lënë në burg 3 prej tyre dhe 5 të tjerë në detyrim paraqitje.

Kështu, në masën arrest me burg do te mbeten shtetasit Redi Molla, Margilen Qato dhe Taulant Tushe.

Sipas SPAK, Mariglen Qato dhe Redi Molla janë pronarë de facto të kompanisë 5D, e cila ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë. Hetimi nisi kryesisht nga SPAK, më pas ka qenë Belind Këlliçi ai që dërgoi një kallëzim të ri për dosjen 5D.

Dy ditë më parë Prokuroria e Posaçme SPAK ka firmosur nëntë masa sigurie për ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.

Mësohet se masë sigurie është firmosur edhe për Mariglen Qato, ish drejtor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës dhe ish drejtorin e UKT-së Redi Molla.

Nga masat e sigurisë, 3 prej tyre janë arrest në burg, ndërsa të tjerët arrest shtëpie e detyrim paraqitje.

Më 26 janar, Albanian Post pati paralajmëruar se gjashtë drejtorë në Bashkinë e Tiranës mund të përballen shumë shpejt me drejtësinë e SPAK.

SPAK mbi bazën e verifikimeve të kryera kryesisht, ka filluar hetimet lidhur me procedimin penal për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Po kështu, Prokuroria e Posaçme mbi bazën e kallëzimit penal të kryer nga shtetasi Belind Këlliçi, ka rregjistruar procedimin penal nr.121, datë 23.05.2023. Të dy procedimet penale janë bashkuar në një procedim penal të vetëm, të numërtuar me nr.75 viti 2023.

Lidhur me këtë procedim penal, për një periudhë disa mujore dhe në mënyrë të pandërprerë, janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ku janë përfshirë administrimi dhe verifikimi i informacioneve nga burimet e hapura, kryerja e veprimeve hetimore proaktive, kryerja e kontrolleve të vendeve dhe kontrolleve të personave, sekuestrime të provave materiale, administrimi i dokumentacionit të një sërë procedurash prokurimi, kryerja e ekspertimeve teknike e kompjuterike, shqyrtimi dhe analizimi i të gjitha provave dhe dokumenteve të administruara.

Nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit R.M. dhe M.Q. janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Shtetasit R.M. dhe M.Q. e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare  në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit E.M., M.P. dhe N.M., si ortakë fiktiv në aktet e rregjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore.

The post Bardhi: Shantazhi i Veliajt ndaj Edi Ramës funksionoi, e mbështeti më shumë se sa Olsin appeared first on Albanian Post.

Previous articleJeta e rrallë e “hirushes” Natalia Vodianovës – 5 fëmijë, një divorc, martesë me djalin e më të pasurit në botë
Next articleHaziri: Fushatë ‘sondazhi’ për të na sulmuar – s’ka kush na ndal

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here