Home Shqipëria Zyrtarët e arrestuar të Bashkisë Tiranë ‘përplasin’ në distancë mazhorancën me opozitën

Zyrtarët e arrestuar të Bashkisë Tiranë ‘përplasin’ në distancë mazhorancën me opozitën

5
0
zyrtaret-e-arrestuar-te-bashkise-tirane-‘perplasin’-ne-distance-mazhorancen-me-opoziten

“Ne jemi në këtë detyrë për të bërë Shqipërinë Evropiane 2030 me reforma të vërteta, përpjekje të mëdha, vendosmëri absolute dhe me të gjitha forcat e ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama këtë të shtunë të 6 prillit në një mbështetje ndaj deklaratave të kryebashkiakut Erion Veliaj, sa i takon ndalimit nga SPAK-u të disa ish-drejtorëve e drejtorëve të bashkisë.

“Tanimë s’jemi më vendi ku për 100 e kusur vite nuk u hetua e gjykua kurrë nga një drejtësi e pavarur, as edhe një person me pushtet politik a lidhje me të! Prandaj qentë le të lehin, Shqipëria do të shkojë përpara, me qeverinë e Partisë Socialiste që do të ecë vetëm përpara, me Drejtësinë e Re që duhet të vazhdojë vetëm përpara, pa i lënë kusur askujt që përdor flamujt e partive, majtas e djathtas, lart apo poshtë, për të nxjerrë përfitime të paligjshme”.

Ai e nis reagimin duke thënë se “mendësia e vjetër komunistenakatosur me thashetheme kafenesh, mllefe interesaxhinjsh dhe interesa gjobaxhinjsh, nëpër ekrane e portale që u ngjajnë tabelave të fletë-rrufeve të komunizmit, prodhon përditë baltë e helm me çështjet e drejtësisë!”.

“Po kësaj s’kemi ç’i bëjmë për sa kohë shpifjet e politikanëve dhe denigrimet e killerave mediatikë, janë bërë pjesë e jetës sonë publike të kthyer në një xhungël ku s’e merr vesh i pari të dytin; ku nuk debatohet me argumenta po vetëm propagandohet me akuza e bërtitet për të mos lënë tjetrin të flasë; ku liria e shprehjes është bërë liri e shpifjes; ku shpifësit përveçse me votë nuk ndëshkohen as me ligj e as me zakon, po veç gjuajnë me një pafytyrësi që edhe në Kanunin e vjetër të shqiptarëve, edhe në çdo libër edukate të qytetërimit demokratik, konsiderohet shkelje e pafalshme”.

Por, thekson Rama, “ky i sotmi është përsëri rasti për të thënë me zë të lartë, se mbështetja jonë për SPAK-un nuk është propagandë, po vullnet i hekurt politik; qëndrimi ynë pa koment, sa herë SPAK-u godet brenda strukturave të ekzekutivit në çdo nivel, nuk është strukje, as frikë, po shprehje shembullore e vijës së kuqe mes nesh, partisë që qeveris e udhëheq Reformën në Drejtësi dhe Drejtësisë së Re që ka të gjithë mbështetjen tonë’.

Kreu i qeverisë thekson se “goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdqoftë në radhët e ekzekutivit, në çdo nivel të qeverisjes, që ka shkelur ligjin dhe ka tradhëtuar misionin tonë në shërbim të këtij vendi e të këtij populli, ne nuk i përjetojmë si gjëma, as si fajësi kolektive, po si një ndihmë të paçmuar në një luftë kundër korrupsionit, të cilën deri dje nuk e bënim dot sa e si duhej, pikërisht sepse mungonte krahu i drejtësisë së pavarur!”.

Sipas kryeministrit, edhe kjo çështja më e fundit e disa ish-zyrtarëve e zyrtarëve të bashkisë Tiranë, edhe “qëndrimi i drejtë i Erionit sot, me të cilin bashkohem fjalë e presje, dëshmojnë edhe njëherë se ne as nuk e kontrollojmë SPAK-un, as nuk kemi ndërmend të ndryshojmë qasjen fuqimisht mbështetëse për SPAK-un”.

Gjithashtu, “as nuk komentojmë çfarëdoqoftë lidhur me vërtetësinë e akuzave të SPAK-ut, për këdoqoftë që SPAK-u merr të pandehur dhe as nuk kemi asnjë lidhje me dokrrat e segmentit politik e mediatik, që prodhon përditë baltë e helm në seanca parlamentare, shfaqje televizive e kanale digjitale, ku lloj-lloj pjellash të mendësisë së errët inkuizicionale, na bëjnë gjyqe si ato të komunizmit, duke u përpjekur të na fusin të tërëve në çdo trastë e thes korrupsioni që hapet nga SPAK-u!”.

Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të Rithemelimit, Gazment Bardhi ka reaguar duke thënë se Rama mbështeti Veliajn sepse e di që kryebashkiaku i ka në dorë fatin e pushtetit.

“Shantazhi i Erion Veliajt ndaj Edi Ramës funksionoi! Nuk janë thjesht dy hallexhinj të drejtësisë, por edhe dy bashkëpunëtorë të afërt, ku fati i njërit përcakton fatin e tjetrit. Prandaj sot Edi Rama mbështeti Erion Veliajn edhe më shumë sesa mbështeti vëllain e tij biologjik Olsi Rama, sepse e di që Erion Veliaj i ka në dorë fatin e pushtetit”.

Ai shtoi se “pasi Gjykata Antikorrupsion urdhëroi SPAK të hetojë edhe Erion Veliajn, Edi Rama zgjodhi edhe kësaj here të sulmojë opozitën”.

“Asnjë fjalë për thelbin e çështjes, asnjë sqarim sesi vjedhja e të paktën 22 milion eurove nga buxheti i Bashkisë Tiranë i shpëtojë syrit të patronazhistëve të tij, që dinë gjithçka për çdo qytetarë, por nuk dinë që Shtabi Elektoral i Erjon Veliajt me nje skemë të pastër mashtrimi kanë vjedhur të paktën 22 milion euro. Çdo Kryeministër i pashantazhueshëm do kishte mbështetur Gjykatën Antikorrupsion që kërkon të hetohet Erion Veliaj, dhe kurrsesi këtë të fundit”.

Lidhur me këto zhvillime ka reaguar dhe kryedemokrati, Lulzim Basha ku theksoi se fundi i pandëshkueshmërisë është dita e parë e demokracisë së vërtetë për shqiptarët.

Çfarë deklaroi sot Erion Veliaj?

Qytetari i parë i Tiranës, Erion Veliaj, në një reagim nga zyra e tij u ka dalë në mbrojtje ish-zyrtarëve të institucionit që ai drejton, të cilët tashmë ndodhen pas hekurave.

Sipas Veliajt, ish-drejtorët ishin në krye të detyrës dhe e kanë realizuar atë më së miri.

“Redi Molla e kthehu në funksion ndërmarrjen e falimentuar të Ujësjellësit. E kthehu Tiranën nga 7 orë në 24 orë të furnizimit me ujë. Taulant Tusha ka ndjekur në mënyrë të jashtëzakonshme punën. Ka ndjekur me prioritet projektet e Tiranës”, tha kryebashkiaku.

Ai e cilësoi të gjitha reagimet e opozitës si gjueti shtrigash.

Për Veliajn një kryebashkiak nuk mund të dijë çdo gjë.

“Në pritje të fjalës së fundit të tyre, unë vetë ju them se asnjë përfitim i paligjshëm i tyre nuk më ka lidhur. Gabime mund të kem bërë plot, por kurrë se kam vënë firmën për përfitim personal apo të paligjshëm”.

The post Zyrtarët e arrestuar të Bashkisë Tiranë ‘përplasin’ në distancë mazhorancën me opozitën appeared first on Albanian Post.

Previous articleMohamed Salah kërkon të thyejë dy rekorde në Premier League
Next articleTrupat e Moskës po përparojnë, ata janë në Khasiv Yar

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here