Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Bukuresht të Rumanisë ku po merr pjesë në konferencën e Partisë së Socialistëve Evropianë, i ka ftuar zyrtarët evropianë të mbështesin Kosovën në rrugën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Të gjithë të pranishmit, i ftova që ta mbështesin vendin tonë në rrugëtimin drejt Këshillit të Evropës, veçanërisht në votimin e radhës me 16 prill në Asamblenë Parlamentare”, shkroi Kurti në Facebook.
Sipas Kurtit, ky takim me përfaqësues të partive socialdemokrate është i rëndësishëm për fuqizimin mes partive.
Ndërkaq para kthimit në Kosovë, Kurti ka përmendur edhe takimin me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Bukuresht.
“Takova ambasadoren e Shqipërisë në Rumani. Vizitë produktive, jo vetëm për të forcuar bashkëpunimin me miqtë e aleatët tanë më të ngushtë, por edhe për t’u frymëzuar më shumë tek vlerat tona, e rritur diapazonin e dijeve dhe përkushtimin për ardhmërinë tonë”, ka theksuar ai.
Ndryshe, Raporti i Dora Bakoyannis që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës do të hidhet në votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill edhe pse ishte paraparë që të diskutohej dhe votohej për këtë raport më 18 prill.
The post Kurti, socialistëve evropianë: Mbështesni Kosovën në rrugëtimin drejt KiE-së appeared first on Albanian Post.








