Home Shqipëria Pse Kurti bën shaka me Taravarin

Pse Kurti bën shaka me Taravarin

2
0
pse-kurti-ben-shaka-me-taravarin

Albin Kurti përmes zëdhënësit të tij Përparim Kryeziu, ka provuar ta sulmojë me të pavërteta dhe fjali jashtëkonteksti, siç Vetëvendosja e ka ekspertizë, kandidatin e Fronit Evropian për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin.

Sikur mos ta përfshinin edhe Arben Taravarin, kundërkandidatin e Osmanit në këtë ndotje, mbase nga Prishtina s’do të duhej të reagohej fare dhe kjo të kalonte si një përpjekje e zakonshme e Vetëvendosjes për kontaminim konstant të hapësirave virtuale.

Por, duke kapitalizuar në mosnjohjen e thellë të Taravarit për këto procese dhe duke shfrytëzuar naivitetin e tij deri në pakuptimësi, Kurti e përfshiu atë në këtë piskatje aspak melodike dhe e detyroi që edhe Taravari përmes Facebook-ut të zgjasë jetën e thashethemeve të Prishtinës.

Prandaj, me dashamirësi për Taravarin, me shpresën se është shndërruar në lolon e Kurtit pavetëdije, po ia japim pak shpjegime këtu.

Arbeni, si dhe disa të tjerë si ai, qëllimshëm anashkalojnë faktin që, si kryesues i OSBE-së, detyra Bujar Osmanit ishte të sintetizonte mesin e të gjitha qëndrimeve relevante në kohën përkatëse, pra muajt maj dhe qershor të vitit 2023, qëndrime të përmbledhura në propozim planin 9 pikësh, të publikuar në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së.

Po i njëjti propozim më pas është përkrahur edhe nga institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian. Pra, të thuash që ky propozim është qëndrim personal i Bujar Osmanit është keqdashësi me nuanca të theksuara të naivitetit.

Po ashtu, Arbeni, si dhe disa të tjerë si ai, qëllimshëm e heshtin faktin që të gjitha zhvillimet e mëpasshme politike, përfshirë edhe negociatat e shumta, janë vërtitur rreth këtij propozimi, dhe në një masë të madhe ngelin akoma aktuale.

Të gjithë aktorët, përfshirë edhe Qeverinë e Kosovës, kanë marr diçka nga ai propozim.

Ky është fakt dhe nuk mund të ndryshojë pavarësisht retorikës.

A kanë ndryshuar gjërat në ndërkohë? Po, kjo është e vërtetë. Por, nëse themi që gjërat kanë ndryshuar, dhe më pas vendosim që gjithçka ta interpretojmë vetëm me një pikë vështrim, atëherë gjërave duhet shkuar deri në fund.

U përmend Banjska, por nuk u tha e gjithë e vërteta.

Si rezultat i disa veprimeve politike të pamenduara mirë, në qershorin e 2023, me vendim të komandantit amerikan në Evropë, Kosova përjashtohet nga ushtrimet e NATO-së. Ky përjashtim shënon rastin e parë në të cilin ndaj Kosovës ndërmerren masa në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Ajo që Arbeni dhe mentorët e tij ideologjikë nuk e përmendin është fakti që ky përjashtim, nga disa në rajon, u interpretua si sinjal që Kosova ka nisur të humbë përkrahjen amerikane në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Dhe, pikërisht në këtë lexim të rrezikshëm të situatës, dikush merr vendimin që të planifikojë Banjskën.

Në rajonin tonë gjërat janë shumë delikate, ku nuancat e vogla mund ta bëjnë diferenca të mëdha. Siguria e Kosovës, por jo vetëm e Kosovës, është e lidhur ngushtë me menaxhimin strategjik të raporteve me aleatët.

Kjo gjë u dëshmua edhe pas Banjskës, përkatësisht me datat 29 dhe 30 shtator kur ishte pikërisht ndërhyrja e fuqishme e aleatëve strategjikë që parandaloi konflikt të një shkalle më të gjerë.

U përmendën heronjtë e Banjskës, por nuk u tha çfarë trajtimi morën ata më pas, pikërisht nga këta që sot po thirren në emrin e tyre. T’i detyrosh këta heronj të dalin në protestë për gjëra elementare është shërbimi më i madh që dikush mund t’i bëjë armiqve të Kosovës.

Dhe tani dy fjalë për gjysmë sentencat e firmosura nga Përparim Kryeziu në Prishtinë, e të përsëritura nga papagajtë e tyre në RMV.

Kosova nuk është çliruar vetëm me parulla dhe komunikata. Kosova është çliruar me rezistencë dhe luftë të koordinuar me aleatët strategjikë. Dhe liria dhe pavarësia e Kosovës mund të mbrohet vetëm me veprime të koordinuara me aleatët strategjikë.

Kushdo që pohon ndryshe është naiv ose i ngarkuar me mision që të zhbëjë të gjitha të arriturat e brezit politik që e çliroi Kosovën. E njëjta vlen edhe për përmirësimin e pozitës kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Shqiptarët në RMV sot janë ku janë falë rezistencës, luftës dhe koordinimit me aleatët strategjikë.

Për çlirimin dhe lirinë e Kosovës janë angazhuar dhe kanë sakrifikuar shqiptarë nga të gjitha trojet etnike. Vlerat dhe patriotizmi i atij brezi është i dëshmuar përtej çdo dyshimi dhe përpjekjeje për baltosje. Është për keqardhje që sot në Prishtinë fryjnë erëra të përçarjes dhe jo të bashkimit.

The post Pse Kurti bën shaka me Taravarin appeared first on Albanian Post.

Previous articleDinastia e Savoia-ve dhe mësymja e Italisë në Shqipëri
Next articleSulm ndaj policëve në Moskë, një i vrarë dhe një i plagosur

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here