Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, partia e të cilit është në koalicioni me Bashkimin Demokratik për Integrim për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka komentuar ndërhyrjen e Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje ka aluduar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po ndërmerr një hap të tillë për disa arsye.
Synimi i parë i Kurtit me një manovër të tillë politike, sipas Thaçit, është zhvendosja e vëmendjes nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, marrë parasysh vështirësitë me të cilat po përballet Kosova aktualisht.
“Zhvendosja e vëmendjes nga aktualiteti politik në Kosovë”, vlerëson Thaçi në një intervistë për T7.
Një arsye tjetër e ndërhyrjes në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, beson Thaçi, mund të jetë afërsia që ka ai dhe Ali Ahmeti me krahun e luftës në Kosovë.
“Arsyeja tjetër mund të jetë personale”, shton ai.
Kurti është përfshirë drejtpërdrejtë në zgjedhjet presidenciale (24 prill raundi i parë) dhe ato parlamentare (8 maj, së bashku me raundin e dytë të atyre presidenciale), të Maqedonisë së Veriut, duke i dhënë mbështetje opozitës shqiptare, koalicionit “VLEN”.
Ndërsa për zgjedhjet parlamentare, përveç mbështetjes, Kurti do të ketë në listat e “VLEN”-it edhe kandidatë për deputetë, 3 sosh, me në krye këshilltarin e tij, Bekim Qoku.
Duke mbështetur opozitën shqiptare, kryeministri është rreshtuar kundër partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim, rrjedhimisht kryetarit të saj, Ali Ahmeti, i cili do të garojë në zgjedhje me koalicionin “Fronti Evropian”.
Lidhur me ndërhyrjet e Kurtit në zgjedhje të Maqedonisë së Veriut ka folur edhe kreu i BDI-së, Ahmeti.
Në një intervistë për Albanian Post, ai ka treguar rreziqet malinje që mund të vinë në të ardhmen nga përfshirja e Kurtit në procesin elektoral të Maqedonisë së Veriut.
Kjo ndërhyrje e Kurtit, sipas liderit të BDI-së i hap rrugë apetiteve të vendeve tjera si Bullgaria dhe Serbia, të cilat mund të organizojnë partitë e tyre në Maqedoni të Veriut.
Përfshirja e Kurtit në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të vendit fqinj nuk është e para.
Ai edhe më herët kishte mbështetur kandidatin e pavarur shqiptar – të përkrahur nga opozita shqiptare – për president Blerim Rekën, duke vepruar ndryshe nga partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, BDI-ja.
Po ashtu, edhe në zgjedhjet parlamentare të 2021-së, Kurti kishte mbështetur opozitën shqiptare, përkatësisht koalicionin në mes të Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës dhe Alternativës së Afrim Gashit.
The post Thaçi: Kurti do zhvendosjen e vëmendjes nga Kosova në Maqedoni të Veriut, prandaj po përfshihet në zgjedhjet appeared first on Albanian Post.








