Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, njëherësh anëtar i delegacionit të Kosovës në Këshillin e Evropës, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielen, ndonëse e konsideroi proces sfidues vendimmarrjen e ardhshme në këtë organizatë, tha se Kosova do ta kalojë fazën parafinale në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Procesi i votimit në tërësi do të jetë sfidues, disa vende sikur Spanja dhe të tjera kanë folur hapur kundër anëtarësimit tonë, por besoj që kësaj radhe do të triumfojmë, pasi që mbështetja e vendeve mike është e parezervë, ndërsa angazhimi i delegacionit ka qenë i vazhdueshëm dhe shumë unik e serioz”, shkroi deputeti kosovar në prag të votimit në Këshillin e Evropës.
Një ndër pikat kryesore të seasionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të jetë debati mbi raportin e raportueses për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, i cili pritet të mbahet në Strasburg të Francës midis 15 dhe 19 prillit 2024.
Do të duhen 2/3 e votave të deputetëve nga parlamentet e shteteve anëtare për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë në mes të majit.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.
The post Tahiri: Votimi në Këshill të Evropës do jetë sfidues, por Kosova do të triumfojë appeared first on Albanian Post.








