Demonstrues në Tbilisi, kryeqytetin e Gjeorgjisë, janë mbledhur përpara godinës së Parlamentit, ku po protestojnë masivisht për moskthimin e vendit në kohën e komunizmit rus, duke kundërshtuar kështu përpjekjet e qeverisë për të riaplikuar disa ligje të kontestueshme edhe nga Bashkimi Evropian.
Nën koret e shumta “Jo ligjeve ruse” dhe “Kjo është një protestë paqesore”, gjeorgjianët kanë kërkuar që vendi i tyre t’i qëndrojë rrugës pro-atlantike, pa bërë hapa pas.
Më herët, përleshjet shpërthyen në parlamentin e Gjeorgjisë, lidhur me rifutjen nga qeveria të një projekt-ligji të diskutueshëm të “ndikimit të huaj”, që kritikët thonë se pasqyron legjislacionin represiv rus të përdorur për të heshtur dhe frikësuar disidentët.
Partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” njoftoi propozimin në fillim të këtij muaji, duke ringjallur një projekt-ligj të ngjashëm që u hoq një vit më parë pas protestave masive.
Video nga një seancë parlamentare tregoi një deputet të opozitës duke goditur me grusht në kokë një ligjvënës të partisë në pushtet, i cili bashkë-sponsorizoi projektligjin, duke shkaktuar përleshje dhe ndërprerje të transmetimit të drejtpërdrejtë.
Përleshja erdhi pasi dhjetëra gjeorgjianë u mblodhën jashtë parlamentit kundër ligjit të propozuar, për të cilin ata argumentojnë se minon kërkesën e Gjeorgjisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Përpara një mitingu të planifikuar për të hënën në mbrëmje, protestuesit mund të shiheshin duke shpalosur një flamur të madh të Bashkimit Evropian dhe duke bërtitur: “Jo ligjit rus!”
“Shoqëria e Gjeorgjisë është mjaft e fortë për të mos lejuar që vendi të rrëshqasë drejt autoritarizmit të stilit rus,” tha Saba Gotua, një arkitekt.
“Ne nuk do të lejojmë që ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ të humbasë shansin historik të Gjeorgjisë për t’u bërë anëtare e BE-së.”
Gjeorgjia ka kërkuar prej vitesh të thellojë marrëdhëniet me Perëndimin, por partia aktuale në pushtet akuzohet se po përpiqet të rilidhë ish-republikën sovjetike me Rusinë.
The post Gjeorgjianët në protestë: Nuk duam ligje ruse appeared first on Albanian Post.








