joseph-pret-nga-osmani-ta-“pilotoje”-kosoven-drejt-kie-se

Ligjëruesi universitar dhe njohësi i rrethanave politike në rajon, Edward Joseph, ka thënë se pret që presidentja, Vjosa Osmani, ta “pilotojë” Kosovën drejt Këshillit të Evropës (KiE), ngjashëm siç shihet në videon e publikuar të premten nga Teksasi teksa po mësonte të pilotojë helikopterin.

“Jam i emocionuar kur shoh presidenten Osmani duke fluturuar me këtë helikopter të markës Bell. Unë pres që presidentja Vjosa Osmani të pilotojë Kosovën në Këshillin e Evropës!”.

“Një hap transformues për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për rajonin”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘X’.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.

Më 27 mars, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e Dora Bakoyannisit, raportuese e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën.

Raportit pozitiv i ka paraprirë vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i kthyer 24 hektarë tokë dhe pyje Manastirit Ortodoks të Deçanit, në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilin me vite ka refuzuar ta zbatojë.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në raportin e Bakoyannisit thuhet se është çështje e brendshme e Kosovës.

Megjithatë kërkesë e Francës dhe e Gjermanisë ka qenë që draftstatuti i Asociacionit të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese para anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë kërkesë e ka quajtur “absurde”.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë dokumente të cilat s’i ka pranuar dhe që nuk janë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde dhe përkundër kësaj tri herë gjatë këtij procesi u tentua që të futej kjo kërkesë si parakusht për anëtarësim”, deklaroi ai të mërkurën.

Edhe më 6 maj, Kurti, ka kërkuar nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it, që për dialogun të flitet në Bruksel dhe jo në Strasburg.

Duke kërkuar që procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) dhe dialogu Kosovë-Serbi të mos ngatërrohen me njëra-tjetrën.

Thirrja e Kurtit drejtuar shteteve të QUINT-it ishte që ta mbështesin anëtarësimin e Kosovës më 17 maj për në Këshill të Evropës.

The post Joseph pret nga Osmani ta “pilotojë” Kosovën drejt KiE-së appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here