Jo vetëm sepse një prej tyre do të fitojë kategorinë Superiore përmes formatit Final Four, por edhe për shpërblimet e majme që formati i ri jep.
Radhitja përfundimtare e Abissnet Superiore i ka dhënë një kënaqësi të veçantë katër ekipeve të renditura më lart (Egnatia, Partizani, Vllaznia dhe Skëndebeu), pasi do të jenë në luftë për titullin kampion.
Por, i ka dhënë kënaqësi edhe arkave të ekipit, për shkak të bonuseve që pritet të shpërndahen nga Federata Shqiptare e Futbollit.
FSHF kishte përcaktuar bonuse për renditjen në mbyllje të fazës së rregullt për katër skuadrat e para dhe pas ndeshjeve të sotme, ata mund t’i gëzohen çekut që do të përfitojnë nga FSHF.
Egnatia, si skuadra e vendit të parë, do të përfitojë 100 milionë lekë të vjetër nga FSHF. Partizani i vendit të dytë merr 70 milionë lekë të vjetër. Vllaznia e cila doli e treta në fund të sezonit të rregullt merr 50 milionë lekë dhe në fund është Skënderbeu i cili përfiton 20 milionë lekë për vendin e katërt.
Ndërkohë, për “Final 4” do të jetë vetëm fituesi ai i cili do të përfitojë premio për titullin, me një çek prej 100 milionë lekësh që do të shkojë në arkat e tij.
Superiorja mbyll sezonin e rregullt
Abissnet Superiore e Shqipërisë ka mbyllur sezonin e rregullt me pesë ndeshjet e kësaj të shtune, që përkojnë me javën e 36-të. Skënderbeu është skuadra e fundit që ka siguruar “Final 4”, pasi më herët ishin kualifikuar Egnatia, Partizani dhe Vllaznia.
Skënderbeu, Tirana, Dinamo dhe Teuta ishin katër skuadrat që luftuan deri në fund për një vend në katërshen më të mirë të kampionatit. Megjithatë, korçarët do të siguronin biletën e fundit pas fitores së jashtëzakonshme 1-5 në Shkodër ndaj Vllaznisë.
Korçarët udhëtuan drejt Shkodrës, aty ku i priste Vllaznia, e cila nëse humbiste, siguronte një vend në Kupat e Evropës, pa e ndërlikuar situatën me përfshirjen në “Final 4”.
Dhe, kështu ndodhi. Skënderbeu e pati të lehtë fitoren në “Loro Boriçi”, duke gjetur pesë herë rrjetën me Dean Liçon, Ermir Rashicën, Ardit Nikajn, Ivan Djantou-n dhe Yuri Merlim-in.
Klajti Halili shënoi golin e vetëm të kuqebluve përballë publikut të tyre.
Partizani mundi 4-0 Erzenin, me dy skuadrat që e kanë pasur të caktuar fatin e tyre më herët. Të parët barazojnë Egnatian në krye të renditjes me 63 pikë, ndërsa shijakasit kanë rënë nga kategoria.
Christian Mba (dy), Xhuliano Skuka dhe Adnard Mehmeti realizuan golat për “Demat e Kuq”.
Tirana fitoi 0-3 në transfertën e Rrogozhinës përballë Egnatias, megjithatë, një rezultat që nuk i ndihmoi për të arritur në “Final 4” dhe për të synuar trofeun e kampionatit apo Kupat e Evropës.
Patrick realizoi dy gola përballë Egnatia-s brenda tre minutave gjatë pjesës së parë, teksa i treti erdhi në pjesën e dytë nga Kristal Abazaj.
Teuta mundi minimalisht 1-0 Dinamo City-n me një gol të minutës së fundit nga Realdo Fili.
Laçi mundi Kukësin 2-0, në një ndeshje që fatet e skuadrave ishin caktuar më herët. Laçi e mbyll sezonin në zonën e play-off për qëndrimin në kategori, ndërsa Kukësi do të luajë në Kategorinë e Parë duke filluar nga sezoni i ardhshëm.
The post Final Four ‘pasuron’ katër ekipet pjesëmarrëse me bonuset e majme appeared first on Albanian Post.








