be-ja-shpreh-keqardhje-qe-siljanovska-davkova-s’e-perdori-emrin-kushtetues-gjate-ceremonise-se-betimit

Bashkimi Evropian (BE) shprehu keqardhje që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së betimit të dielen, duke bërë thirrje që liderët e zgjedhur të Maqedonisë së Veriut të respektojnë Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit të ish-republikës së vogël jugosllave.

Siljanovska-Davkova, pas fitores bindëse në zgjedhjet presidenciale të 8 majit, u betua se “do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë” duke e shmangur emrin kushtetues të vendit. Në fakt, shmangia nga emri zyrtar ka qenë një ndër zotimet elektorale të presidentes së zgjedhur të Maqedonisë së Veriut.

“BE shpreh keqardhje për faktin që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Presidentja Siljanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së betimit të sotëm. BE rikujton rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, u tha në komunikatën e BE-së.

Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje për ndryshimin e emrit nga Republika e Maqedonisë në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE. Në bazë të marrëveshjes, emri i ri duhet të përdoret në nivel ndërkombëtar, në të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare.

Greqia përgjigjet ashpër pas betimit të Davkovës si Presidente e “Maqedonisë”: Kursi evropian varet nga Prespa, respektoni marrëveshjen

The post BE-ja shpreh keqardhje që Siljanovska-Davkova s’e përdori emrin kushtetues gjatë ceremonisë së betimit appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here