Pas një betimi tejet të diskutuar të presidentes së re maqedonase, Gordana Silianovska-Davkova, ku ajo vlerësoi që t’i referohej vetes jo me termin zyrtar, Presidente e Maqedonisë së Veriut, por Presidente e Maqedonisë, ka ardhur edhe një reagim i ashpër i Greqisë.
Në bazë të një njoftimi nga Ministria greke e Punëve të Jashtme, reflektohet qartësisht fakti se si Davkovka, zgjodhi ta quajë vendin e saj “Maqedoni” dhe jo “Maqedoni e Veriut”, sipas marrëveshjes së Prespës, dakordësuar mes vendeve, e cila më tej i hapi rrugë edhe integrimit të vendit ballkanik në NATO e më gjerë në hapjen e negociatave drejt Bashkimit Evropian.
Megjithatë, me këtë zhvillim të fundit, Greqia duket se ka lëshuar paralajmërime të qartë se do të mund të ketë bllokime, nëse qëndrimi i presidentes së re maqedonase nuk ndryshon.
“Ky akt shkel në mënyrë flagrante Marrëveshjen e Prespës si dhe Kushtetutën e shtetit fqinj, e cila është harmonizuar me detyrimet e tij ndërkombëtare. Qeveria greke, me gjithë kundërshtimet që kishte shprehur si kundërshtim gjatë ratifikimit të marrëveshjes, e respektoi atë si një traktat ndërkombëtar të ratifikuar që ka përparësi ndaj çdo dispozite tjetër të ligji”, shkruhet në deklaratë.
Gjithashtu, shtohet: Greqia, në këtë kontekst, thekson kategorikisht se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut si dhe kursi evropian i kësaj të fundit varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe mbi të gjitha nga përdorimi i emrit kushtetues të vendit.
Një akt proteste ishte edhe ai i largimit të diplomatëve grekë gjatë betimit të Davkovës, pasi kjo e fundit e quajti veten Presidente të Maqedonisë.
The post Greqia përgjigjet ashpër pas betimit të Davkovës si Presidente e “Maqedonisë”: Kursi evropian varet nga Prespa, respektoni marrëveshjen appeared first on Albanian Post.








