Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mike Johnson, ka thënë se është duke punuar për ta mbajtur përgjegjës ish-kryeprokurorin e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS) në Hagë të Holandës, Jack Smith, i cili tani drejton hetimet penale kundër Donald Trumpit, presidentit të 45-të SHBA-së.
Në një konferencë për media, ai ka njoftuar se është duke punuar në mënyrë aktive me kryetarin e komisionit gjyqësor, Jim Jordan, por edhe me kryetarin e mbikëqyrjes dhe përgjegjshmërisë në kongresin amerikan, James Comer, për ta mbajtur përgjegjës Smithin për çdo keqbërje potenciale në rastin e Trumpit, i cili pretendon se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht.

“Është e pamundur të mohohet se sistemi gjyqësor në vendin tonë është armatosur kundër presidentit Trump. Unë jam duke punuar me kryetarët Jordan dhe Comer për masat për të frenuar abuzimet e Smithin dhe për ta mbajtur ndihmësin special përgjegjës”, ka deklaruar Johnson.
Smith ka qenë kryeprokuror i ZPS-së, kur në qershor të 2020-s u ngrit aktakuza për krime lufte ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai tani mbikëqyr dy nga çështjet penale në vazhdim kundër Trumpit, posaçërisht hetimin e dokumenteve të klasifikuara në shtëpinë e Trumpit dhe për rolin që ish-presidenti e pati në sulmin e 6 janarit në Capitol Hill.
The post Hetimi ndaj Trumpit | Johnson: Do ta mbajmë përgjegjës Smithin për abuzimet appeared first on Albanian Post.








