Agjencia e Bashkimit Evropian për Kontrollin e Kufijve Frontex ka bërë me dije se rruga e Ballkanit Perëndimor njohu rënien më të madhe të kalimeve të migrantëve të parregullt.
Kjo me rreth 69%, për katër muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas raportit kjo rrugë njohu rreth 7 mijë kalime të parregullta që nga fillimi i janarit deri në fund të prillit të cilat shënojnë rënien më të madhe në mesin e rrugëve kryesore të migracionit në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq numri i kalimeve të parregullta kufitare në Bashkimin Evropian në katër muajt e parë të 2024 ra me gati një të katërtën (23%) në rreth 63 mijë e 400, sipas të dhënave paraprake.
Rruga e Mesdheut Qendror, e cila pa numrin më të madh të kalimeve të parregullta në 2023, vazhdoi të tregojë një prirje rënëse nga muajt e fundit, me një rënie nga viti në vit prej 62% më pak.
Në prill, numri i mbërritjeve qëndroi në rreth 4 mijë e 600, rreth 70% më pak nga një vit më parë.
Ndërkohë, rruga e Afrikës Perëndimore vazhdoi të shihte një numër të paprecedentë, me numrin e mbërritjeve të parregullta në Ishujt Kanarie në katër muajt e parë të vitit që u rrit 375% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Ky ishte totali më i lartë për këtë periudhë që kur Frontex filloi mbledhjen e të dhënave në vitin 2011.
Në prill, numri i të ardhurve ishte mbi 3 mijë e 100, afër totalit për katër muajt e parë të vitit të kaluar (3 mijë e 400).
Vitin e kaluar, rruga e Afrikës Perëndimore përjetoi rritjen më të madhe në përqindje të kalimeve të parregullta.
Rruga më aktive migratore në periudhën janar-prill ishte Mesdheu Lindor, ku numri i zbulimeve u dyfishua në mbi 17 mijë e 300 në dy muajt e parë të vitit.
Kalimet detare mbeten të mbushura me rrezik për njerëzit që ndërmarrin migrime të parregullta.
Të dhënat nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) tregojnë se 568 individë janë raportuar të zhdukur në Mesdhe deri më tani këtë vit.
Shumica dërrmuese e tyre po lundronin në rrugën e rrezikshme të Mesdheut Qendror.
Aksioni i Frontex në Ballkan jep efekt, bien drastikisht kalimet e jashtëligjshme
Shqipëria dhe Serbia, ndër vendet e rajonit, mbajnë edhe peshën kryesore të kalimeve të jashtëligjshme.
Po ashtu, dy vendet kanë qenë edhe të parat, të cilat kanë firmosur marrëveshje me Frontex, më 1 maj 2021, për bashkëpunim.
Mirëpo këto marrëveshje, përtej rezultateve, duheshin thelluar dhe kjo gjë, u arrit vetëm më 18 nëntor.
Kështu bëri me dije ministri i Brendshëm i Republikës Çeke (mbajtëse e presidencës së BE-së), Vit Rakusan, duke theksuar se pjesë e autorizimit do të jenë edhe Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.
Kjo, për t’u përballur me sfidat e fundit të migracionit në Ballkanit Perëndimor dhe rrugët ballkanike të kalimit të emigrantëve të jashtëligjshëm.
Në kushte të tilla, si zgjerohet më tej marrëveshje dhe çfarë arrin ajo?
Pikë së pari, shtimin e asistencës në kontrollin direkt të fluksit migrator, apo kryerjen e operacioneve të mëdha kundër kalimit të jashtëligjshëm kufitar në kuadër të mbrojtjes së territorit.
Falë ujdisë së re, stafi i Frontex do të ketë mundësi edhe të ushtrojë funksione ekzekutive, si për shembull të zhvillojë kontrolle në pikat kufitare apo të kryejë identifikimin biometrik të personave, të cilët kalojnë pikat kufitare të këtyre vendeve.
Ky aspekt i fundit, është edhe më i rëndësishëm, pasi lejon stafin e agjencisë të ushtrojë kontrolle më të imta dhe të depërtojë edhe më thellësisht në rrugën ballkanike që emigrantët zgjedhin.
Por, mbi të gjitha, e gjithë çështja shkon në benefit të vendeve të BE-së, të cilat janë përballur përtej fluksit të emigrantëve, për shkak të luftës në Ukrainë, edhe me shtim të kalimeve të jashtëligjshme nga emigrantët e rrugëve ballkanike.
Thënë kjo, zgjerimi i bashkëpunimit me gjithë rajonin, por veçanërisht me Shqipërinë dhe Serbinë, mund t’i japë jetë një fronti të ri bashkëpunues, i cili mund të frenojë edhe më tej fluksin e emigrantëve drejt BE-së.
The post Rruga e Ballkanit Perëndimor njeh rënien më të madhe të kalimeve të parregullta appeared first on Albanian Post.








