Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pasi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka theksuar se “statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet nëpërmjet dialogut në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
“Sugjerimi i EEAS në deklaratën e saj sot – që strukturat ilegale në Kosovën duhet të trajtohen me dhe të zgjidhen në lidhje me Asociacionin – është një paraqitje mashtruese e asaj që Asociacioni ishte menduar ndonjëherë të ishte. Së pari, nuk është një ombrellë për legalizimin e strukturave të krijuara në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme”, ka shkruar Kryeziu në platformën “X”.
Sipas Kryeziut, për më tepër, sundimi i ligjit nuk duhet të perceptohet si sjellje shkallëzuese, derisa ka shtuar se “është ironike” që BE-ja të reagojë kundër veprimeve që janë në përputhje me sundimin e ligjit, kur misioni më i madh civil i BE-së quhet Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Ndryshe pasi autoritetet e Kosovës i mbyllën gjashtë objekte të “Bankës Kursimore të Postës” në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Stano ka vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.
“Mbyllja e këtyre zyrave pa një paralajmërim paraprak, apo pa koordinim, vetëm disa ditë pas takimit të fundit të dialogut, i cili po ashtu merrej me çështjen e këtyre objekteve të Bankës Kursimore të Postës, është një përshkallëzim dhe shkon kundër frymës së normalizimit dhe dëmton vullnetin e mirë të Kosovës në arritjen e normalizimit të raporteve”, tha Stano.
Në shkurt hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore që lejohet për transaksione me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit në zonat e banuara me serbë etnikë, kur përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe monedha serbe nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.
The post Kryeziu, Stanos: Asociacioni s’është një ombrellë për legalizimin e strukturave të paligjshme appeared first on Albanian Post.








