ne-me-pak-se-dy-muaj-serbia-arreston-dy-kosovare,-i-akuzon-per-“krime-lufte”

Serbia është duke vazhduar që të arrestojë shqiptarët e Kosovës duke i akuzuar ata për krime të pretenduara lufte.

Në më pak se dy muaj, autoritetet e Serbisë kanë arrestuar dy shtetas të Kosovës, duke thënë se kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe të njëjtit po i akuzon për “krime lufte”.

Rasti i fundit është ai i të shtunës së 1 qershorit.

Në pikën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, Merdarë, Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, njoftoi mbrëmjen e së shtunës se e kanë arrestuar shtetasin kosovar, Tefik Mustafa.

Sipas korrierit më të madh të propagandës serbe, Mustafa është arrestuar për “krime lufte kundër civilëve në Kosovë”.

Në komunikatën e lëshuar nga MPB-ja serbe, pretendohet se Mustafa, “si pjesëtar i UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], në deklaratat e dëshmitarëve përmendej si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviç, Zhivojin Paviç dhe Predrag Millosheviç, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë – Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”.

“Personi do të dorëzohet në Prokurorinë për Krime Lufte”, ka thënë Daçiç, siç citohet në komunikatë.

Lidhur me këtë rast nuk ka pasur ende asnjë reagim nga institucionet e Kosovës.

Ndërsa, më 17 prill, fatin e njëjtë me të Mustafës e kishte pasur edhe Sadik Duraku.

Edhe Duraku, i cili është edhe shtetas britanik, akuzohet për krime të pretenduara lufte, akuza këto që janë hedhur poshtë nga familjarët e tij.

Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë, ku ishin bllokuar nga autoritetet serbe një numër i madh i udhëtarëve kosovarë.

Pas arrestimit, një gjykatë serbe i caktoi atij masën e paraburgimit po atë muaj.

Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se Serbia vazhdon që të rrëmbejë shqiptarë.

“Serbia vazhdon të rrëmbejë shqiptar siç ishte rasti para më pak se një muaji me Sadik Durakun, i cili teksa po qarkullonte nëpër Serbi si një vend transit, meqenëse ai jeton në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke qenë nënshtetas i të dyjave, u kap dhe po mbahet peng në Serbi”, kishte thënë Kurti më 10 maj.

Ndryshe, në tre vjetët e fundit, nga Serbia janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

The post Në më pak se dy muaj Serbia arreston dy kosovarë, i akuzon për “krime lufte” appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here