gervalla:-nga-mediat-kuptova-se-osmani-kishte-qendrim-tjeter-ndaj-letres-qe-u-dergua-ne-kie,-s’kemi-prishje-te-raporteve

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka komentuar raportet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit shprehu indinjatën e saj me Qeverinë e Kosovës për arsye të mos-koordinimit paraprak për letrën që kryediplomatja ia dërgoi Këshillit të Evropës për çështjen e Asociacionit.

Gërvalla, në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Kosova Press, ka thënë se përmes mediave ka kuptuar që Osmani ka një qëndrim tjetër rreth kësaj letre, e cila sipas saj, është dërguar në Këshillin e Evropës pa koordinim paraprak me Zyrën e Presidentes për “shkaqe objektive” brenda një kohe “shumë të shkurtër” dhe në “koordinim me akterë të ndryshëm ndërkombëtarë”.

“Akterë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë dashur të shfrytëzojnë këtë mundësi, si një mundësi 90 me 10, pra nëse 90 për qind nuk funksionon, unë kam qenë e gatshme qoftë edhe 10 për qindshin e mundësisë ta shfrytëzojë me qëllim që të kemi sukses, suksesin nuk e patëm letra humbi vlerën e saj edhe nuk është diçka që e ka dëmtuar shtetin as strategjinë tonë”, ka vlerësuar ajo.

Kryediplomatja ndër të tjera ka konsideruar se raportet me Osmanin nuk ka ndryshuar as pas këtij mos-koordinimi.

“Ne raportet me presidenten e Kosovës gjithmonë i kemi pasur të mira, nuk kam asnjë arsye të mendoj që ka një ndryshim në raportet tona. Nuk kemi nevojë që gjithmonë të gjithë të pajtohemi 100 për qind për të gjitha temat. Nganjëherë kemi për procese të ndryshme edhe mendime të ndryshme. Ne gjithmonë e gjejmë një rrugëdalje dhe një gjuhë të përbashkët”.

Kosova nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Arsyeja e mos-trajtimit të çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave ishte kushti që Franca, Gjermania e Italia artikuluan publikisht, e që Kosova refuzoi ta plotësojë me arsyetimin se kërkesa ishte absurde.

Shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkuan që Kosova të procedojë tutje me Asociacionin – të paktën ta dërgojë draft-statusin e këtij mekanizmi në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Një ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se ka dërguar një letër në adresë së Këshillit të Evropës, ku zotohej se do të përgatisin një draft-statut të ri të Asociacionit e ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Një zotim i tillë u shpërfilli nga Këshilli i Evropës, ndërkohë Zyra e Presidentes reagoi ndaj këtij vendimi duke theksuar se ky institucion nuk u konsultua paraprakisht për letrën e dërguar.

Pas dështimit të anëtarësimit në KiE, Gërvalla në një konferencë për media njoftoi se oferta e Kosovës për Asociacionin nuk vlen më. Ndërkohë ky mos-koordinim paraprak ndërmjet institucioneve shkaktoi një përçarje të thellë në mes të presidentes Osmani e ekzekutivit kosovar.

The post Gërvalla: Nga mediat kuptova se Osmani kishte qëndrim tjetër ndaj letrës që u dërgua në KiE, s’kemi prishje të raporteve appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here