Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi Serbia të shtunën nëpërmjet institucioneve të saja zyrtare të përfaqësimit, bashkë me Kishën Serbe, përfaqësuesit zyrtarë të Republikës serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Akademinë serbe të Arteve dhe Shkencave, nacionalistë serbë nga rajoni dhe bota ka mbajtur “Kuvendin Gjithëserb”.
“Alarmi i djeshëm në Beograd, për ne që i njohim shpërthimet e tyre fashiste në vazhdimësi, është kurdisje e një bombe që mund të shpërthej në çdo çast”, thuhet në reagim.
Tutje, LDK-ja i ka bërë thirrje miqtë të Kosovës, që kanë dhënë shumë për lirinë e saj, t`i marrin seriozisht këto përpjekje të Beogradit zyrtar për minimin e fqinjësisë në mes shteteve në rajon dhe defunksionalizimin e arritjeve politike në të mirë të demokracisë në këto 30 viteve të fundit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, si ideatore e projektit politik për Kosovën e Pavarur, si vend i të gjithëve që jetojnë në të, demokratik dhe i lirë; si bartëse e qëllimeve historike politike e kombëtare të popullit të Kosovës, e sheh me shqetësim këtë tubim gjithëserb dhe konkluzionet e tij armiqësore ndaj Kosovës dhe rajonit”.
Po ashtu në reagim theksohet se Kosova është përcaktuar tashmë, në mënyrë të pa kthyeshme, për rrugën evropiane, ku të drejtat qytetare, ato kulturore si dhe ato etnike përbëjnë bërthamën e zhvillimit dhe bashkëjetesës.
“Po ashtu, LDK dëshmon edhe një herë se si në fillesë edhe tash i rrinë përballë çdo përpjekje për cenimin e Republikës së Kosovës dhe integritetit të saj. Republika e Kosovës është produkt i pjekjes së një shoqërie për ta udhëhequr vetëveten, por edhe për të marr përgjegjësi për pakicat. LDK i mbetet garantuese këtyre vlerave dhe prosperimit të tyre”.
Ndryshe, të shtunën, në Beograd, është mbledhur i ashtuquajturi “Kuvendi Gjithëserb”, në të cilin është miratuar edhe një deklaratë e përbashkët në mes të Serbisë dhe Republikës Srpska.
Kjo deklaratë, siç pretendoi presidenti serb, ka të bëjë “për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të të drejtave politike dhe të ardhmes së përbashkët të popullit serb”.
Prezent në këtë mbledhje ka qenë edhe Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska, Millorad Dodik, i cili së fundmi është duke kërkuar shkëputjen e RS-së nga Bosnje e Hercegovina, madje për këtë ai ka propozuar një referendum.
Dodik në delir: “Kosova është pjesë e Serbisë dhe e Republikës Srpska”
The post “Një bombë që mund të shpërthej në çdo çast”, LDK-ja reagon pas deklaratës së “Kuvendit Gjithëserb” në Beograd appeared first on Albanian Post.








