Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas seancës solemne në Kuvendin e Kosovës, ka nisur takimin me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.
Ky takim është duke u zhvilluar pa praninë e mediave në objektin e Qeverisë.
Ish kryeministri britanik, do të ketë takim edhe me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, me këtë rast, atij do t’i ndahet “Çelësi i qytetit”.
Para këtyre takimeve, ai është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka mbajtur një konferencë për media si dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Blair, ka deklaruar se ndërhyrja e aleatëve të NATO-s në vitin 1999 ka qenë e nevojshme dhe se ekzistenca e shtetit të pavarur të Kosovës është dëshmi e kësaj, prandaj nuk është penduar asnjëherë që e ka ndihmuar Kosovën në momentet më të vështira.
Blair, i cili për shqiptarët e Kosovës është më shumë se një ish-kryeministër britanik, ka shtuar ndër të tjera se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian (BE).
Ai u ka bërë thirrje të gjitha shteteve që ende nuk e kanë njohur ta bëjnë këtë: “Kjo është pse kemi shtrirë dorën tonë para 25-vjetësh”.
Ndryshe, ndërhyrja humanitare e NATO-s më 1999 konsiderohet një ndër sukseset më të rëndësishme të aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja, përkundër se përbente rastin e parë në histori që NATO-ja ndërmerrte një veprim ushtarak në territorin evropian.
Bombardimet e NATO-s mbi Serbinë përfunduan pas 78 ditëve, ndërsa lufta në Kosovë pas 14 muajve.
The post Kurti nis takimin me Blairin appeared first on Albanian Post.








