bislimi:-kosova-deshiron-paqe,-por-serbia-s’po-kerkon-falje

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” për nder të ditës së çlirimit, deklaroi se përderisa Kosova gjithnjë do të përsërisë thirrjen për paqe, shteti serb akoma nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë dhe nuk ka kërkuar falje për krimet makabre gjatë luftërave ballkanike të viteve të 90-ta.

“Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet makabre dhe terrorin e saj në rajon në vitet e ’90-ta. Kosova gjithnjë do të përsërisë thirrjen për paqe, por edhe drejtësi për gjenocidet serbe. Nga ana tjetër, mirënjohja për aleatët tanë për kontributin në çlirimin e vendit, do të mbetet e përjetshme”, theksoi Bislimi.

Kosova sot e shënon 25-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës – atëherë kur tankset britanike “Challenger” në rrugë tokësore dhe “Apache-t” amerikanë përmbi qiell, në kuadër të trupave paqeruajtëse të NATO-s, filluan marshimin në Kosovë pas fushatës ajrore të aleancës veriatlantike kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë, Serbi e Mal të Zi.

“Tash, 25 vite më vonë, Kosova është një histori suksesi, e progresit, zhvillimit demokratik dhe shembull në rajon. Sakrificat kanë qenë të mëdha e sublime, detyra jonë është ta vazhdojmë përpara rrugën e trasuar nga dëshmorët e kombit dhe nga të gjithë ata që u flijuan për atdhe”, shtoi zëvendëskryeministri.

Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e mijëra viktimave – në luftën e fundit në Kosovë vlerësohet se u vranë rreth 13 mijë e 500 shqiptarë të Kosovës.

The post Bislimi: Kosova dëshiron paqe, por Serbia s’po kërkon falje appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here