Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se kanë biseduar për thellim të raporteve mes dy shteteve respektive.
Takimi është zhvilluar në prag të Samitit të vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), që do të mbahet në Shkup.
“Në takim është vlerësuar se të dy shtetet kanë dialog të shkëlqyeshëm politik dhe është shprehur interes për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral të përgjithshëm dhe fuqizimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore”, kanë thënë nga kabineti i Dakovës.
Shefja e shtetit maqedonas, që së fundmi u zgjodh presidente, ka potencuar se në interes të stabilizimit të mëtejmë dhe prosperitetit ekonomik të rajonit “është e domosdoshme që të investojmë në bashkëpunimin rajonale, që të sigurohet zhvillim i pandërprerë i procesit eurointegrues të shteteve nga rajoni, si dhe realizimi të agjendës reformuese”.
“Për këtë, dy presidentet kanë ndarë mendimin për perspektivën evropiane të rajonit, si dhe për sfidat politike dhe të sigurisë në planin rajonal dhe multilateral”, thuhet në njoftim.
Përveç këtyre, është bërë me dije se nga presidentet është shprehur edhe gatishmëri edhe për bashkëpunim në planin ekonomik dhe infrastrukturor.
Osmani e uroi për fitoren presidenciale, por Davkova s’e trajton sikurse liderët tjerë
The post Dakova pas takimit me Osmanin: Duhet bashkëpunim për të vazhduar procesi eurointegrues appeared first on Albanian Post.








