Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel ka marrë pjesë në takimin e 23-të grupit të kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës, ku ka kërkuar që shtetet të vazhdojnë t’i ofrojnë Ukrainës ndihmë ushtarake.
“I shoqëruar nga ambasadori Astrit Zemaj, mora pjesë në takimin e udhëhequr nga sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Lloyd Austin, me ç’rast u diskutua për situatën aktuale në Ukrainë, dhe për ndihmën ushtarake që shtetet duhet të vazhdojnë t’i ofrojnë Ukrainës dhe popullit të saj që po përballet me agresorin rus”, ka shkruar Maqedonci në rrjetin social ‘Facebook’.
Sipas Maqedoncit, ukrainaset po vazhdojnë luftën e tyre “të papërkulur”.
“Ata po vazhdojnë rezistencën dhe luftën e tyre për liri, duke impresionuar botën me aftësitë dhe guximin e tyre, dhe në këtë përballje me agresorin ata nuk janë vetëm, kanë përkrahjen e mbi 50 shteteve, në mesin e tyre dhe Kosovës”.
Ai ka riktheksuar se Kosova po qëndron me Ukrainën ngase është me të drejtën, lirinë e popujve dhe sovranitetin e pakontestueshëm të shteteve.
“Ukraina po lufton për të gjithë ne, po lufton për të ndalur tiranët që mendojnë se mund të shkelin kufijtë dhe të pushtojnë fqinjët e tyre, andaj Rusia duhet ndalur. Në këtë luftë jemi të gjithë bashkë”.
Më 11 prill, kishte arritur pakoja e parë mbështetëse për Ukrainën me kamionë dhe automjete ushtarake ka arritur.
Që nga fillimi i agresionit rus, Kosova ka qenë në krah të Ukrainës, duke strehuar disa gazetarë ukrainasë e duke iu bashkangjitur sanksioneve të perëndimit ndaj Rusisë.
The post Maqedonci nga Brukseli kërkon që shtetet të ofrojnë ndihmë ushtarake për Ukrainën appeared first on Albanian Post.








