Qeveria e Kosovës vetëm gjatë ditës së premte ka nënshkruar pesë kontrata njëburimore, ka thënë deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ish-ministrja e Financave, ka njoftuar se këto kontrata njëburimore janë të publikuara në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.
Pesë kontrata njëburimore, sipas të dhënave të publikuara nga Bajrami, kapin shifrën e mbi 400 mijë eurove.
“Këto janë kontratat njëburimore të nënshkruara sot sipas KRPP-së: Ministria e Kulturës/ Punë shtesë ndërhyrje restauruese dhe konservuese – 9 mijë 37 euro. Agjencia Kosovare e Privatizimit/ Angazhimi i ofruesit të shërbimeve profesionale për procesin e likuidimit për të gjitha asetet nën administrimin e AKP-së – 249 mijë e 900 euro”, ka shkruar ajo në platformën sociale, X.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës / Punë shtesë të kontratës renovim i Klinikës së Kardiokirurgjisë – 74 mijë e 572 euro. Ministria e Kulturës / Furnizim me pajisje pune dhe materiale të nevojshme për restaurimin-konservimin e artefakteve dhe kabineteve për Muzeun Kombëtar të Kosovë – ritenderim i dytë – 65 mijë euro. Ministria e Kulturës / Punë shtesë në objektin e ish-postës në Mitrovicë – 8 mijë e 197 euro”, ka shtuar ajo.
Për këtë Bajrami ka kërkuar që Prokuroria të ndërmerr masa konkrete dhe të ndëshkoj “këtë lloj korrupsioni”.
“Me këto kontrata po dëmtohet rëndë buxheti i shtetit, ka keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe po deformohet konkurrenca e drejtë në treg”.
The post Bajrami: Qeveria veç të premten nënshkroi 5 kontrata njëburimore appeared first on Albanian Post.








