Portugalia ka fituar me shifrat 3-0 përballë Turqisë pasditen e kësaj të shtune, duke siguruar kështu edhe kualifikimin në raundin e 16-të të Euro 2024-ës pas Gjermanisë dhe Spanjës.
Portugalia dhe Turqia zhvilluan ndeshjen për llogari të javës së dytë në Grupin F të Euro 2024, me takimin që u mbajt në “Signal Iduna Park” të Borussia Dortmund-it.
Ishte një ndeshje që fliste më shumë për Portugalinë, një prej emrave kryesore për të fituar turneun, e cila nuk e vuri asnjëherë në dyshim fitoren përballë turqëve.
Ylli i Manchester City-t, Bernardo Silva hapi serinë e golave me realizimin e tij në minutën e 21-të.
U deshën 15 paraqitje dhe 950 minuta aksion që Bernardo Silva më në fund të shënonte golin e tij të parë në një turne të madh ndërkombëtar.
Vetëm shtatë minuta më vonë, Akaydin shkaktoi një nga autogolat më qesharak në futboll, teksa ktheu gabimisht drejt portës së Altay Bayındır një top kur nuk ishte nën presionin e kundërshtarit.
🚨🚨| GOAL: OWN GOAL BY AKAYDIN!!!
Turkiye 0-2 Portugal
— CentreGoals. (@centregoals) June 22, 2024
Në historinë e Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian, vetëm Kupa e Botës 2018 (12) dhe Euro 2020 (11) kanë parë më shumë autogola se Euro 2024 (6).
Pjesa e parë e takimit u mbyll me fitoren 2-0 të portugezëve, por edhe me pesë kartona të verdhë, tre për Turqinë dhe dy për Portugalinë. Kjo ishte ndeshja e Kampionatit Evropian me më shumë kartonë të verdhë në pjesën e parë që nga Euro 2004 (5; Greqi – Spanjë).
Goli i tretë i Portugalisë do të vinte nga Bruno Fernandes në minutën e 55-të. Kapiteni i Manchester United realizoi pas një asistimi altruist nga Cristiano Ronaldo, i cili i vetëm përballë portierit kundërshtarë zgjodhi një pasim te shoku i tij i skuadrës.
Përveçse është golashënuesi më i mirë në historinë e Kampionatit Evropian të UEFA-s (14), Ronaldo tani ka edhe më shumë asistime (7) në kompeticion (që nga viti 1968).
Me rezultatin e këtij takimi, portugezët sigurojnë kualifikimin në 16-she. Përsa i përketë turqëve, ata qëndrojnë në vendin e dytë dhe do të duhet të presin ndeshjen e fundit për të parë nëse do të vijojnë më tej në Euro 2024.
Renditja në Grupin F
Portugalia me fitoren e sotme shkon në kuotën e 6 pikëve dhe në vendin e parë. Turqia qëndron në vendin e dytë me 3 pikë.
Çekia dhe Gjeorgjia kanë nga një pikë, të arritur gjatë barazimit të sotëm 1-1, dhe mbajnë respektivisht vendin e tretë dhe të katërt.
Në ndeshjen e tretë në grup, Portugalia përballet me Gjeorgjinë, ndërsa Turqia përballet me Çekinë.

Notat e lojtarëve (sipas Whscored)

The post Portugalia mund Turqinë dhe siguron raundin e 16-të, CR7 vendos rekord të ri appeared first on Albanian Post.








