Është e rrallë që debatet të ndryshojnë rrjedhën e zgjedhjeve, aq më tepër këtë të sotmin që pritet të zhvillohet mes Joe Biden dhe Donald Trump.
Megjithatë ndodh: Një shaka e jashtëzakonshme, gjuha e trupit, një gabim i paharrueshëm dhe kahu papritmas kthehet.
Rasti më i famshëm është ai i debatit të parë ndonjëherë, i mbajtur më 26 shtator 1960 në Chicago nga John Kennedy dhe Richard Nixon.
Për ata që e ndoqën në televizion, senatori i ri demokrat nga Massachusetts, i cili në atë kohë ishte 43 vjeç, u shfaq i relaksuar, ndërsa zëvendësi i atëhershëm i Dwight Eisenhower ishte djersitur dhe kishte veshur një kostum të lehtë, një ngjyrë që e bënte atë të përzihej me sfondin.
Krahasimet kanë hyrë në histori
Në vitin 1976, presidenti aktual Gerald Ford – i vetmi që ka qenë në Shtëpinë e Bardhë pa u zgjedhur asnjëherë as si zëvendës – “rrëshqiti” në politikën e jashtme.
Gjatë përballjes me Jimmy Carter, ai shkoi aq larg sa tha se gjatë administrimit të tij “nuk kishte dominim sovjetik në Evropën Lindore”, duke e lënë pa fjalë moderatorin.
Në vitin 1980 Ronald Reagan mbrojti veten me shumë aftësi kundër Carter.
Ai e mbylli debatin me një pyetje drejtuar votuesve që ka hyrë në historinë e politikës amerikane: “A jeni më mirë sot se sa katër vjet më parë?”.
Përgjigja – jo – erdhi në nëntor.
Katër vjet më vonë Reagan u pengua në debatin e parë kundër sfiduesit të tij demokrat Walter Mondale, krahasuar me të cilin ai dukej i moshuar dhe i hutuar: sipas djalit të tij, në atë kohë ai kishte tashmë shenjat e para të Alzheimerit.
Në përballjen e dytë, megjithatë, erdhi pyetja për moshën dhe ai ishte gati: “Nuk do ta shfrytëzoj rininë dhe papërvojën e kundërshtarit tim për arsye politike”.
Në atë kohë zëvendësi i tij ishte George Bush, i zgjedhur me shumicë në vitin 1988 kundër guvernatorit të Massachusetts, Michael Dukakis.
Ajo që e ndaloi Dukakisin ishte një pyetje për dënimin me vdekje: ata e pyetën nëse do të ishte në favor nëse gruaja e tij përdhunohej dhe vritej, dhe ai tha jo.
Vetëm për t’u kapur më pas në një përgjigje tepër analitike dhe jo shumë njerëzore.
Ai ndoshta do të kishte humbur gjithsesi.
Katër vjet më vonë Bush e gjeti veten përballë të riut Bill Clinton, guvernator i Arkansas, dhe u tradhtua nga shikimet e fshehta që ai i hodhi orës në TV drejtpërdrejt: një spektator po bënte një pyetje për borxhin publik dhe ai dukej i mërzitur dhe i painteresuar.
Në vitin 1996, Clinton, i cili ishte në Shtëpinë e Bardhë, përdori kartën e moshës në favor të tij kundër 73-vjeçarit Bob Dole.
Në vitin 2012, rruga e Barack Obamës drejt rizgjedhjes u hap nga një gafë e Mitt Romney.
Pastaj janë debatet e Trumpit, pesë prej tyre, të cilat janë një rast më vete.
Në vitin 2016 ai sfidoi tre herë Hillary Clinton, pothuajse duke e frikësuar fizikisht: ai u përcaktua si grabitqari që synonte prenë.
Në vitin 2020, pati vetëm dy konfrontime me Joe Biden – e treta u anulua sepse presidenti i atëhershëm kishte COVID – dhe ato u kthyen në një përleshje verbale, një sërë ofendimesh dhe ndërprerjesh.
Ajo përballje konsiderohet si debati më i keq në histori dhe për këtë sonte dy pretendentëve do t’u fiken mikrofonët ndërkohë që rivali do të flasë.
Marrë nga “Corriere Della Sera”, përshtatur për Albanian Post
The post Zgjedhjet në SHBA, momentet historike të debateve presidenciale appeared first on Albanian Post.








