Në Bruksel, të martën, ka përfunduar takimi në mes të zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimit me kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç, nën ndërmjetësimin e të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Takimi trelateral ka zgjatur mbi 2 orë.
Paraprakisht, diplomati sllovak zhvilloi takime të ndara dypalëshe me Petkoviç-in dhe Bislimin.
Takimi trepalësh filloi me vonesë, pasi bisedimet dypalëshe ndërmjet palës evropiane dhe asaj serbe zgjatën mbi dy orë, dyfish më gjatë sesa ishte planifikuar.
Në krye të agjendës së diskutimeve ishte zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.
Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua.
Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Bisedimet në Bruksel përfunduan pa ndonjë rezultat konkretë, meqë Kurti refuzoi takimin me Vuçiç-in pa plotësimin e tri kushteve të parashtruara paraprakisht Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në një takim bilateral.
Formalizimi i Marrëveshjes Bazë, tërheqja e letrës zyrtare të ish-kryeministres së Serbisë dorëzuar Bashkimit Evropian dhe dorëzimi i Milan Radojiçiç dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet kosovare, ishin së fundmi tri kushtet e paraqitura nga ana e Kurtit, për angazhimin e mëtejmë të Kosovës në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
The post Përfundon takimi Bislimi – Petkoviç appeared first on Albanian Post.








