Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se draft-statuti evropian i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është një “non-paper”, pasi që theksoi se i njëjti nuk është ide e ndonjë organizate këshillëdhënëse.
Këto komente, Hovenier i ka bërë në një intervistë për “KlanKosova”, të mërkurën, duke iu kundërpërgjigjur kështu kryeministrit Albin Kurti, i cili – ndonëse në fillim e kishte pranuar në parim – ka deklaruar se drafti që pesëshja e madhe ia solli në zyrë më 21 tetor të vitit të kaluar është “non-paper”, dhe si të tillë s’do ta dërgojë në Kushtetuese.
“Por, të jemi të qartë: ky nuk është ‘non paper’, ky nuk është diçka që vetëm e kemi dorëzuar ashtu thjesht në mënyrë të thjeshtë”, tha Hovenier, derisa përmendi edhe delegacionin e rëndësishëm evropaino-amerikan që ia kishte sjellë këtë draft-statut Kurtit.
“Një delegacion i përbërë nga personi më i lartë në BE, përgjegjës për dialogun Kosovë-Serbi, me këshilltarët kombëtarë të sigurisë… erdhën dhe e dorëzuan atë dokument duke thënë: Ne besojmë se ky krijon një Asociacion që i trajton të gjitha shqetësimet e ngritura, që nuk kërkon ndryshime kushtetuese, nuk ka pushtet ekzekutiv, nuk krijon një shtresë tjetër të qeverisjes”, deklaroi.
Pra, sipas Hovenier-it, “ka status të rëndësishëm”, dhe “siç i kemi thënë edhe Kosovës: ne besojmë se është mjaft i mirë dhe është i mjaftueshëm që Kosova t’i përmbush obligimet e saj duke e përdorur këtë draft”.
“Kjo është shumë e fuqishme. Këto nuk janë vetëm një varg idesh të ndonjë organizate këshillëdhënëse”, shtoi.
Diplomati amerikan potencoi se këshilla më e mirë e tyre për qeverinë është “që ta shfrytëzojë këtë mundësi për ta shtyrë përpara”.
“Ekziston vetëm një organ në planet që njëmend mund ta vendosë nëse ky draft-statut është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës – Gjykata Kushtetuese e Kosovës”.
Nëse Kushtetuesja do vendoste që draft-statuti është në kundërshtim me të, atëherë ambasadori amerikan e bëri të qartë që do ta respektonin një vendim të tillë, dhe “do të prisnim që edhe Kosova ta bëjë të njëjtën”.
Sa i përket propozimit të Kurtit që drafti evropian të dërgohet në Komisionin e Venedikut, Hovenier insistoi që ai të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
The post Hovenier, Kurtit: Drafti i Asociacionit s’është “non-paper”, s’është ide e ndonjë organizate këshillëdhënëse appeared first on Albanian Post.








