Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, shprehu falënderime për kontributin e dhënë nga Shtetet e Bashkuara, në ndërtimin e një sistemi të ri drejtësie dhe luftën kundër korrupsionit.
Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Balla ftoi opozitën që si akt të parë politik, të bëjë diferencimin nga non gratat, duke iu referuar kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Personat që janë përfshirë në korrupsion të lartë nuk duhet të jenë pjesë e këtij Kuvendi dhe pjesë e politikës në tërësi. Është e papranueshme që të kemi persona non grata nga SHBA-të, që janë pjesë e politikës”, theksoi ai.
Sipas Ballës, ka ardhur koha që opozita të gjejë pak kurajë, për ta ndarë veten nga non gratat.
“Është qesharake, gjatë gjithë ditës ndoqa fjalët e deputetëve, se nuk mund të thuash se Sali Berisha qenka i dënuar politik, se SPAK në rastin e tij ka bërë gabim, është përdorur nga shumica dhe pastaj në pjesën tjetër të fjalës, të thuash se SPAK ka bërë mirë me ish-minisrtin apo përfaqësues të krahut tjetër të sallës. Ky SPAK, kur ne flisnim në 2016 shumë prej jush qeshnin. Por ne e dinim prej ditës së parë se një strukturë e posaçme, e cila të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar duhet ngritur dhe u ngrit. Ju erdhët me pahir nga çadra, nga bojkoti, për të votuar ndryshimet kushtetuese. Prej atij momenti, ajo që quhet PD, i ka sabotuar të gjitha ligjet që lidhen me implementimin e plotë të paketës se madhe të reformës në drejtësi”, shtoi.
Për Ballën, nga ana e SPAK, drejtësia është e njëjta si për Sali Berishën, si për këdo tjetër në këtë vend.
“Nëse ju do vijoni të thoni se për Saliun është “skrap” dhe për kundërshtarin politik përballë është SPAK, shanset që t’ju besojë njeri në këtë sallë janë zero”, deklaroi ai.
Më tej, ministri pati një apel për gjyqësorin, referuar debatit publik që ka prodhuar procedimi i mjekëve të Onkologjiku, duke theksuar mbështetjen për bluzat e bardha që sillen me dinjitet dhe integritet, duke bërë ndershmërisht detyrën.
“Shqipëria ka në shumicë të madhe mjekë e infermierë që punojnë ndershmërisht dhe që meritojnë vlerësimin prej nesh. Por ka brenda këtij shërbimi, që tradhtojnë betimin e Hipokratit dhe bardhësinë e uniformës. Në rastin tek Onkologjiku, nuk ka ndodhur për herë të parë, ku shefa shërbimesh për shkak të tranzicionit nga një shërbim dhe ndërthurja me shërbimin privat, bëjnë punë edhe në publik edhe në privat”.
“Hetimi i kësaj çështjeje është 100 % i Policisë me Prokurorinë e Tiranës. Ka qenë angazhimi ynë i përditshëm për të luftuar korrupsionin, dua të falënderoj strukturën e Krimit Ekonomik dhe Prokurorin, e po ashtu dua që t’i drejtohem sot Gjykatës që të mos bëjë me këtë dosje sikur ka bërë herë të tjera, por t’i shkohet deri në fund, me dënime që ngjarje të tilla mos të përsëriten”, nënvizoi Balla.
Në fund, edhe një herë përsëriti apelin për të djathtët në opozitë.
“Nëse, sa jeni në kohë, sa muaj na ndajnë nga zgjedhjet, nëse do hyni se keni huqin e keq që dhe nuk hyni në zgjedhje, mblidheni mendjen dhe të ndaheni nga non gratat. Po e bëtë këtë, ku i dihet do bëheni më mirë se për të humbur do humbni”, tha ministri i Brendshëm.
The post Balla falënderon SHBA-të për luftën ndaj korrupsionit: Opozita duhet të çlirohet nga ‘non-grata’ appeared first on Albanian Post.








