Mbrojtësi turk Merih Demiral do të dënohet me dy ndeshje nga UEFA, pas një gjesti që bëri gjatë fitores së skuadrës së tij në 1/16 kundër Austrisë të martën dhe do të humbasë çerekfinalen e Euro 2024 të së shtunës kundër Holandës, raportojnë mediat gjermane.
Qendërmbrojtësi 26-vjeçar shënoi dy gola në fitoren 2-1 ndaj austriakëve për ta dërguar skuadrën e tij në 8-shen e fundit për herë të parë që nga viti 2008 dhe festoi duke bërë një gjest “ujku” me gishta.
Gjesti lidhet me “Ujqërit Gri”, një degë rinore ultra-nacionaliste e Partisë së Lëvizjes Nacionaliste të Turqisë (MHP), e cila është aleate e Partisë AK në pushtet të Presidentit Recep Tayyip Erdogan.
“Simbolet e ekstremistëve të djathtë turq nuk kanë vend në stadiumet tona,” tha Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, në një postim në X dhe UEFA më pas hapi një çështje disiplinore kundër Demiral.
Gazeta gjermane Bild raportoi të enjten, se kishte marrë informacion se lojtari do të dënohej për dy ndeshje për shkak të gjestit, por nuk specifikoi një burim për pretendimin e tij.
Turqia takohet me Holandën në çerekfinalen e tyre në Olympiastadion të Berlinit të shtunën, lojë në të cilën pritet të marrë pjesë edhe presidenti turk Erdogan.
UEFA hap hetimet për gjestin e Merih Demiral në fitoren e Turqisë ndaj Austrisë në Euro 2024
The post Demiral i Turqisë do të pezullohet për dy ndeshje për gjestin nacionalist, sipas mediave gjermane appeared first on Albanian Post.