Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për “Tëvë1” të enjten, ka thënë se Qeverisë së Kosovës, në këtë fazë, nuk është duke iu kërkuar implementimi apo zbatimi përfundimtar i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por vetëm dërgimi i draft-statutit për këtë mekanizëm për komunitetin serb në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“Ne nuk jemi duke e kërkuar implementimin e plotë të asociacionit. Ne jemi duke kërkuar hapin e parë të dukshëm. Dhe ky është dërgimi i draftit në Gjykatën Kushtetuese”, ka theksuar ambasadori gjerman, duke paralajmëruar pasoja të tjera për Kosovën nëse nuk lëvizë drejt përmbushjes së zotimeve, ashtu sikurse në rastin e mosavancimit në Këshillin e Evropës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk mund ta shqyrtojë draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe derisa ta dekretojë Qeveria e Kosovës, ndonëse bashkësia e organizuar ndërkombëtare e konsideron “hap të parë” drejt garantimit të një niveli adekuat të vetëmenaxhimit për komunitetin serb që përbënë shumicën në pjesën veriore të Kosovës.
Duke folur për debatin e fundit të nxitur nga ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili deklaroi se shtetin serb nuk i kërkohet njohja e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE), diplomati gjerman ka nënvizuar se procesi i dialogut për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë nën kujdesin e BE-së duhet të përfundojë me njohje.
“Përfundimi i normalizimit për neve nenkupton njohjen e plotë ngase të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimot duan të arrijnë BE-në… është e paimagjinueshme që dy vende të pranohen në BE pa e njohur njëra-tjetrën”, nënvizoi ndër të tjera ambasadori Rohde, derisa shtoi se marrëveshja e vitit të kaluar parasheh që Kosova dhe Serbia të arrijnë deri te njohja hap pas hapi.
Kosova dhe Serbia arritën një “marrëveshje historike” për normalizimin e marrëdhënieve vitin e kaluar. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore, që zakonisht përkthehet si njohje de facto.
The post Rohde: Kosova duhet ta çojë draftin në kushtetuese – normalizimi nënkupton njohje appeared first on Albanian Post.








