kosova-te-beje-zgjedhjet-dhe-ndryshimet-e-nevojshme-nese-e-deshiron-be-ne,-thote-szunyog

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, mandati i të cilit është në përfundim, ka uruar që Kosova të përparojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Dua ta shoh Kosovën që vazhdon rrugën e saj drejt BE-së, duke bërë ndryshimet dhe zgjedhjet e nevojshme për një Kosovë evropiane”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Szunyog ndër të tjera ka falënderuar popullin e Kosovës, për të cilin ka thënë se ka në duar të ardhmen evropiane.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka marr pjesë në pritjen lamtumirëse me rastin e përfundimit të mandatit të Szunyog.

Gjatë një fjalimi në këtë organizimi, Kurti, siç thuhet në komunikatë për media, ka thënë se BE-ja përfaqëson të ardhmen për Kosovën.

“Jo rastësisht Kosova aktualisht është vendi më pro BE-së, me nëntëdhjetë e pesë përqind të qytetarëve që mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Kurti gjatë fjalimit ka përmendur, sipas tij, arritjet e Kosovës gjatë këtyre tri vjetëve të fundi, pra në kohën kur Szunyog udhëhiqte zyrën e BE-së në Kosovë.

“Gjatë mandatit tuaj, Kosova shënoi arritje të rëndësishme në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ato më historiket ishin aplikimi ynë për anëtarësim në BE në fundin e vitit 2022 si dhe liberalizimi i vizave i cili filloi nga ky vit”, është shprehur ai.

Kurti ka veçuar, sipas tij, edhe një tjetër moment kyç në këto tri vite – Raportin e BE-së për Kosovën i vitit 2022.

“Ky raport është konsideruar si një nga më të mirët ndonjëherë për Kosovën dhe ndër më të mirat në Ballkanin Perëndimor, e ku u evidentua realizimi i një sërë reformash të vonuara prej kohësh. Disa prej tyre janë miratimi i ligjit për zgjedhjet dhe ligjit për financimin e partive politike, krijimi i terminaleve doganore në pronësi publike, rritja e pagës minimale, fillimi i arsimit dual, si dhe arritjet në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

The post Kosova të bëjë zgjedhjet dhe ndryshimet e nevojshme nëse e dëshiron BE-në, thotë Szunyog appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here