lideret-e-nato-s-“shume-te-shqetesuar”-per-potencialin-e-“perkeqesimit-te-tensioneve”-midis-kosoves-dhe-serbise

Një zyrtar i NATO-s ka deklaruar të enjten se aleanca është “shumë e shqetësuar” për situatën rënduar të sigurisë dhe potencialin e “përkeqësimit të tensioneve” midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ka shtuar se është e nevojshme që Prishtina dhe Beogradi të angazhohen në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

“Ne jemi të mendimit që zgjidhja dhe stabilizimi në të ardhmen i situatës së sigurisë do të varet plotësisht nga zgjidhjet politike. E kemi theksuar vazhdimisht nevojën për dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe angazhim konstruktiv diplomatik”, u ka thënë gazetarëve një zyrtar i aleancës në kuadër të samitit të Uashington të Shteteve të Bashkuara (SHBA).

“Po ashtu kemi theksuar nevojën për shmangien e veprimeve të njëanshme që mund të provokojnë incidente sigurie”, ka shtuar ai, teksa ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë. “Ne vazhdojmë t’i nxisim të dyja palët që të angazhohen në mënyrë sa më konstruktive, sepse e vetmja zgjidhje e vërtetë e situatës është zgjidhja politike”, ka theksuar ai sipas “Zërit të Amerikës”.

Sot, siguria në Kosovë mbikëqyret nga misioni paqeruajtës i NATO-s (KFOR). Por, pavarësisht pranisë ushtarake të NATO-s, shtatorin e vitit të kaluar ndodhi një sulm i armatosur nga një grup i paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke ngritur shqetësime serioze për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Pas shpërthimit të dhunës vitin e kaluar në veriun e trazuar të vendit, aleatët dislokuan rreth 1 mijë forca shtesë në Kosovë – prezenca më e madhe e NATO-s në dhjetë vitet e fundit. Gjithashtu, misioni i KFOR-it trefishoi numrin e patrullave, duke përfshirë edhe kontrollet përgjatë vijës kufitare.

Zyrtari i NATO-s, emri i të cilit nuk është publikuar, ka kujtuar gjithashtu sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në maj të vitit të kaluar në veri të Kosovës: “Është shumë e rëndësishme për NATO-n, jo vetëm pse ushtarët tanë u plagosën më 29 maj, por sepse pranimi i përgjegjësisë është pjesë e ecjes përpara në këtë proces politik”.

Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj e vendorë, perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve rajonalë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndëretnike, rreziku i ripërshkallëzimit rri i varur mbi mbarë rajonin e Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.

The post Liderët e NATO-s “shumë të shqetësuar” për potencialin e “përkeqësimit të tensioneve” midis Kosovës dhe Serbisë appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here