Drejtori i Shoqatës Handikos, Afrim Maliqi, në një intervistë dhënë për GazetaBlic, ka kritikuar Aeroportin Ndërkombëtar Adem Jashari, për mungesë të karrocave të personave me aftësi të kufizuara dhe sipas tij është çështje shumë shqetësuese sepse vetëm një karrocë është e pranishme në këtë aeroport për vendosjen e kësaj kategorie në airoplan.
“Po flas për karrocat të cilat janë me standarde dhe të cilat janë speciale për hyrjen e personave dhe vendosjen e tyre në airoplan, jo për karroca me të cilat personat kanë vështirësi në lëvizje gjatë aeroportit. Ajo karrocë mandej mund të jetë edhe e rrezikshme dhe e dëmshme për bartjen e personave që kanë vështirësi në lëvizje. Personat me aftësi të kufizuara hezitojnë të vinë në Kosovë, vetëm për shkak të kësaj karroce”, tregoi ai për GazetaBlic.
Sipas Maliqit, ka shumë vite që adresohet kjo çështje në Aeroportin ndërkombëtar Adem Jashari, por që sipas tij ka edhe qasje jo të drejtë ndaj personave me aftësi të kufizuara në këtë aeroport.
“Aeroportit Ndërkombëtar Adem Jashari ju kemi drejtuar dhe ju kemi adresuar çështje të mungesës së karrocave për personat me aftësi të kufizuara që shumë vite. Kjo çështje me të vërtetë është jashtëzakonisht e vështirë, është vetëm një karrocë në aeroport, e që Airoporti i Prishtinës sa kemi informacione nga vendet tjera të rajonit është një aeroport j i madh duke ditur që ka pasagjerë të shumtë dhe duke ditur që persona me aftësi të kufizuara ka edhe në Kosovë, por në veçanti ka edhe që jetojnë në vende të ndryshme evropiane dhe në botë. Kjo dallon për arsye se edhe qasja e tyre nuk është e duhur dhe nuk është e drejtë në raport kur ju drejtohet një personi me aftësi të kufizuara apo kur e bartë”, potencoi drejtori i Handikos.
“Ne e kemi adresuar edhe çështjen e atyre asistentëve të cilët i asistojnë përmes kësaj karroce personat me aftësi të kufizuara në vendosjen në aeroplan, në karrige të aeroplanit dhe anasjelltas, që të kenë një trajnim sikurse që i kanë asistentët nëpër aeroporte të tjera ndërkombëtare”, tha ai.
Si qëndron kjo kategori me kushte të jetesës?
“Personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë janë ende larg standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Fillimisht ka mungesa të shërbimeve të duhura shëndetësore, ka mungesë të mbështetjes së familjes dhe që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara dhe personave me aftësi të kufizuara, si në rehabilitim, pajisje teknologjike asistuese apo ndihmuese. Ka mungesë të qasshmërisë që i pengon personat me aftësi të kufizuara që të marrin pjesë në jetën publike dhe politike”, tha Maliqi.
Ndërkohë, sa i përket shkollimit kjo kategori në vendin tonë ka gjendje të vështirë, sipas Maliqit ka një numër të vogël të fëmijëve që vijojnë mësimin, kjo vjen si pasojë e kushteve financiare.
“Vlerësohet se vetëm 12 % të personave me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në sistemin arsimor, kjo tregon gjendjen e vështirë në të cilën gjenden fëmijët dhe familjet e tyre në Kosovë. Është jashtëzakonisht një numër i vogël i fëmijëve me aftësi të kufizuara që janë të përfshirë në arsim dhe numri më i vogël është për të rritur dhe studentët. Kjo është për arsye financiare dhe të qasshmërisë, si dhe rehabilitimit që t’ju ofrohet në veçanti fëmijëve me aftësi të kufizuara, kjo e bën jetesën shumë të vështirë të tyre dhe familjes së tyre, për shkak se edhe mungesës së tyre nga ana tjetër këta marrin ndihmë financiare disa prej tyre me qëllim të mbulimit të shpenzimeve të domosdoshme të tyre, të cilat assesi nuk mjafton kjo mbështetje”, përfundoi drejtori i Handikos, Afrim Maliqi.
/GazetaBlic/
The post Mungesë të karrocave për persona me aftësi të kufizuara në “Aeroportin Adem Jashari”/ Drejtori i Handikos kritika për mos ndryshimin e kësaj çështje appeared first on GazetaBlic.








