tre-ministrat-ende-ne-pritje-te-dekretimit-nga-begaj

Tre ministrat e rinj të kabinetit qeveritar (Ervin Hoxha, Pirro Vëngu dhe Petrit Malaj), të cilët u propozuan nga kryeministri Edi Rama gjatë Kongresit socialist më 28 korrik, ende janë në pritje të një dekretimi nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Nuk janë të qarta rrethanat e kësaj vonese nga ana e Presidencës shqiptare, kur ka pasur raportime se dekretimi do të kryhej që të hënën e 29 korrik. Por, kështu nuk ndodhi.

Gjithashtu, një seancë e jashtëzakonshme e planifikuar për pasditen e 29 korrikut u shty për pasditen e 30 korrikut.

Por, nëse Begaj nuk i dekreton tre ministrat brenda pasdites, atëherë seanca mund të rezultojë edhe boshe, ose në të mund të votëbesohet vetëm kryetarja e re e Kuvendit, Elisa Spiropali, e propozuar po nga Rama në Kongresin socialist.

Për t’u parë mbetet se si do të veprojë Begaj lidhur me rastin.

Por, cilët janë ata dhe si kanë ardhur deri në krye të ministrive përkatëse?

Ervin Hoxha

Ervin Hoxha ka shërbyer për mbi 20 vite në funksione të ndryshme në institucionet qendrore dhe ligjzbatuese të vendit.

Ai ka qenë më parë pjesë e dikastereve në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Hoxha ka kryer detyra të larta në nivelin drejtues si: Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shef i Njësisë Kombëtare Europol, Shef i Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol, Drejtor i Policisë Rrugore, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Drejtor i Hetimit Tatimor dhe Pastrimit të Parave, Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si edhe Drejtor Kabineti dhe Këshilltar i disa funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës me VKM nr. 57 dhe së fundmi drejtues i IKMT-së.

Pirro Vengu

Pirro Vengu ka mbajtur poste të rëndësishme gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Ai ka qenë edhe drejtori i Antikorrupsionit në Kryeministri. Po ashtu Vengu ka mbajtur më parë edhe postin e shefit të kabinetit në ministrin e Jashtme, që dikur drejtohej nga Ditmir Bushatit.

Së fundmi, ai ka mbajtur pozitën e drejtuesit të Portit të Durrësit.

Petrit Malaj

Petrit Malaj është aktualisht drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN).

Ai u zgjodh në këtë detyrë në janar të vitit 2024.

Sipas një CV-ja te publikuar, Petrit Malaj është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ka vijuar studimet për Master në “Business Administration” në Universitetin Wisconsin- La Crosse në SHBA , është kualifikuar për “Banking and Finance” në Universitetin Georgetown, SHBA dhe më pas ka ndjekur një program kualifikimi për Drejtimin e Tregut të Kapitaleve, të Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Gjermanisë.

Ai ka një përvojë të pasur pune në sistemin bankar në Shqipëri dhe më pas është angazhuar si Drejtor Ekzekutiv në kompaninë “BDO Albania”, pjesë e BDO International, grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave.

The post Tre ministrat ende në pritje të dekretimit nga Begaj appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here